Prej disa ditësh luftimet në Alepo janë rindezur me një ashpërsi që ka vënë alarmin në OKB për fatin e civilëve të mbetur mes vijave të frontit. Ofensiva nisi nga grupimet rebele për të çarë rrethimin e Alepos lindore, një zonë e qytetit e rrethuar nga territori që ka marrë ushtria e Asad. Grupet rebele jashtë kësaj zone u përpoqën të krijojnë një korridor në një distancë prej 2 kilometra e gjysmë përmes zonës që mbahet nga forcat qeveritare për t’u bashkuar me forcat në Alepon lindore. Rebelët, që janë një përzierje grupesh, që nga ata që perëndimi i quan të moderuar deri të xhihadistët e Al-Nusras, përdorën sulmet vetëvrasëse, skuadra të sulmit të shpejtë me motorë dhe të gjitha kalibrat e predhave në dispozicion.
Ajo që bën përshtypje është edhe mënyra e dokumentimit të kësaj lufte. Këtu (shih videon) tregohet se si një skuadër sulmi që përdor motoçikletat mblidhet në një sallë për të ngritur moralin dhe pastaj niset në një aksion që është i gjithi i filmuar me kamera koke go-pro, gjithçka në high definition. Video pastaj është montuar edhe me kolonë zanore dhe është hedhur në youtube. Një video tjetër ku përdoren edhe pamje me dron tregon një lagje të Alepos të sapo marrë nga rebelët. Teksa kamera lëviz mes shkatërrimit, duken vila dhe rrugë të gjelbëruara që tregojnë për një zonë rezidenciale e cila para luftës mund të ketë qenë një oaz qetësie për banorët. Pamjet brenda shtëpive vërtetojnë se banorët i përkisnin shtresave të mesme të qytetit më të populluar në Siri.
Materialet filmike për qëllime propagande nuk mungojnë as nga ana tjetër. Ministria siriane e turizmit ka publikuar një video të Alepos perëndimore, zonë që mbahet nga forcat e Assad. Janë pamje të një qyteti me jetë normale ku turistët ftohen të vizitojnë. Në video nuk përmendet aspak ajo që ndodh në pjesën lindore të qytetit.
Frika më e madhe natyrisht është për fatin e civilëve, në zonën lindore ndodhen rreth 750 mijë njerëz që po vuajnë nën rrethim mungesën e ushqimeve, karburantit dhe pothuaj çdo gjëje tjetër, ndërkohë që bombardohen pa reshtur. Ndërsa sulmet e rebelëve në zonën perëndimore nuk kanë kursyer aspak banesat e civilëve. Por shtypi perëndimor ngre alarmin se gjërat mund të përkeqësohen. The Times shkruan se sipas burimeve të inteligjencës, Rusia po përgatit një sulm final në Alepo duke shfrytëzuar momentin e zgjedhjeve në Amerikë.
Aeroplanmbajtësja ruse Kuznetsov, e shoqëruar nga disa nëndetëse që mund të lëshojnë raketa balistike, është drejtuar për në brigjet siriane. Mendohet se në këtë mënyrë po përgatiten bombardime masive që do t’iu lejojnë trupave të Assad të marrin fortesat e rebelëve në zonën lindore të qytetit. Por kjo do të sillte një kosto të frikshme në jetët e civilëve. Në zonën që mbahet nga rebelët ndërkohë, e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore është djegia e gomave nëpër rrugë për të krijuar një perde tymi që nuk ua lejon shikimin pilotëve. Ky fëmijë (shih videon) është një nga të shumtit që kanë këtë detyre çdo ditë, të dalin nëpër lagje, të mbledhin goma e materiale të tjera dhe t’u vënë flakën nëpër rrugë.
(ed.me/News24/BalkanWeb)
