NGA KLODJANA HAXHIAJ

DURRES- Një ndërhyrje e rrallë dhe tepër e vështirë është kryer nga mjekët e spitalit të Durrësit, të cilët i kanë shpëtuar jetën një 45-vjeçareje që ishte diagnostikuar me tumor malinjë në gojë. Operacioni është i pari i këtij lloji në Shqipëri. Prej orës 08:00 të së hënës deri pas orës 17:00, ekipi i kirurgëve maksilofacialë të spitalit të qytetit bregdetar ka punuar në sallën e operacionit nën drejtimin e profesor Emeka Kenke, shef i repartit kirurgjikal të spitalit të Vjenës në Austri.

Mjeku gjerman, i specializuar në këtë fushë dje pohoi për “Gazeta Shqiptare” se ky ishte një rast i rrezikshëm dhe kompleks, por ekipi kirurgjikal kishte organizuar të gjithë punën për kryerjen e ndërhyrjes tek pacientja, pas konsultave që ishin kryer paraprakisht.

“Unë kam qenë edhe herë të tjera në spitalin e Durrësit, ku kam operuar pacientë të tjerë, por ky rast ishte ndryshe. Përveç operacionit në gojë, duhej të kryhej edhe transplanti në fytyrë. Ishte tumor agresiv malinj, ku u bë një transplant i një grafti vaskularizues i marrë nga shpatulla dhe u vendos në dyshemenë e gojës e në qafë. Jam i kënaqur nga bashkëpunimi me mjekët e spitalit të Durrësit dhe gjendja e pacientes në këtë moment është mirë. Ne kemi hequr të gjithë masën kanceroze së bashku me rrënjën. Tani presim trajtimet e mëtejshme me radioterapi të pacientes”, tha Kenke.

Ndërkohë, mësohet ky operacion i madh kishte 5 operacione të tjera brenda, që nisi me hapjen e laringut, pastrimin e qafës nga metastazat malinje, marrja e lempos nga shpatulla (materialit zëvendësues), lidhja e materialit me rrjetin vaskular të qafës dhe rikonstruksionin e fytyrës e të gojës. Para largimit, profesor Kenke pohoi se do të fluturojë për në Gjemani për operacion të tjera po kaq të vështira e shpresëdhënëse për njerëzit”.

MJEKËT
Milton Rroço dje pohoi se pacientja mbërriti në këtë repart 18 muaj pasi kishte ndjerë shqetësimet e para. “Në Gjermani këto operacione të kancerit në kokë e në qafë kryhen vetëm në tri klinika të specializuara. Në Shqipëri nuk ka klinika të specializuara, por edhe mjekët nuk kanë eksperiencë për të kryer të tilla ndërhyrje, çka u bë e detyrueshme marrja e një mjeku të huaj. Florika 45- vjeçare ishte me fat. Raste të diagnostikimit të kancerit në gojë ka pothuajse çdo ditë, ndaj u bëjmë bëjnë apel pacientëve të përballen me sëmundjen dhe të mos e neglizhojnë atë. Një tjetër pacient u diagnostikua sot (dje), por sëmundja kishte avancuar shumë”, tha mjeku Milton Rroço.

operacion

Ndërkohë, mjeku kirurg Florian Bllaca, i cili ftoi mjekun Kenke, deklaroi se, “është një intervent kompleks për shkollën tonë maksiolofaciale. Kishim të bënim me një tumor të dyshemesë së gojës. Ishte agresiv si tumor dhe ndërhyrja duhej të ishte agresive. Pjesa që hiqet duhet të transplantohet sërish. Në kushtet tona, ishte e vështirë të realizohej. Erdhi doktor Kenke dhe në spitalin e Durrësit u krye për herë të parë kjo ndërhyrje. Profesori na ka asistuar dhe e falënderojmë shumë”. Anestezisti Bilal Mema u shpreh se, “këto janë intervente të gravitetit të lartë jo vetëm në klinikën e spitalit të Durrësit, por edhe në klinikat e specializuara të botës. Gjendja është stacionare dhe klasifikohet e qëndrueshme. Jemi në pritje të përmirësimit të pacientes, e cila ishte shumë optimiste dhe shumë këmbëngulëse. Edhe familjarët ishin këmbëngulës”.

PACIENTJA
Sipas mjekëve të spitalit të Durrësit, 45-vjeçarja Florika Beqiri kishte shkuar në disa spitale jo vetëm shtetërore, por edhe private. Mjekët në spitalet shtetërore nuk e kishin marrë përsipër ta operonin, ndërsa në spitalet private i kishin thënë se operacioni do të kryhej duke marrë mjekë nga jashtë, por vlera e operacionit shkonte në disa dhjetëra mijëra euro, shumë kjo e papërballueshme nga familja e saj. Endri Shehu, mjeku neurokirurg, tha: “Në spitalin e Durrësit u krye gjithçka falas. Gruaja, nënë e dy vajzave këmbënguli dhe u besoi jetën e saj mjekëve të spitalit të Durrësit, të cilët bënë të pamundurën. Operacioni është kryer me kosto zero”. Prej momentit që u diagnostikua me kacer, 45-vjeçarja durrsake pati mbështetjen e dy vajzave të saj dhe të bashkëshortit.

(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb