TIRANË- Ministri i Financave, Arben Ahmetaj e ka konsideruar si buxhetin më optimal në 25 vite, atë të vitit 2017 për financat publike. Në një status në “Facebook”, Ahmetaj vlerëson marrëveshjen me FMN dhe jep një pasqyrë të qartë të atyre zërave që parashikon buxheti 2017.
Ministri i Financave thotë se rritja përshpejtohet në 3.8% dhe se borxhi publik ulet në 69.1%.

“Me FMN, arritëm sot një marrëveshje të rëndësishme për Buxhetin 2017, buxheti më optimal në historinë e financave publike në 25 vjet!
1. Buxheti i rritjes ekonomike – rritja përshpejtohet në 3.8%, ose rreth katërfishi i asaj që ishte në vitin 2013.
2. Buxheti i reformave – rreth 20 miliardë lekë për akomodimin e reformave thelbësore për ekonominë: reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, reforma në pensione, reforma e pronave, reforma e decentralizimit dhe reforma e ujit.
3. Buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve – për herë të parë rreth 100 milionë dollarë (në 12 muaj) për rritjen e pagave dhe pensioneve 2017, fondi më i madh për paga dhe pensione i akorduar brenda një buxheti në 25 vite!
4. Buxheti i investimeve publike – buxheti 2017 siguron nivel optimal të investimeve publike 5% e GDP (investime qendrore + Fondi i Zhvillimit të Rajoneve + mbështetje për sektorin energjetik), duke pasur huamarrjen (deficitin) më të ulët të arritur ndonjëherë, prej rreth 2% të GDP, pra balancën korente më pozitive në 25 vite prej rreth 2.9%, duke kapërcyer madje edhe kufirin e rregullit të artë.
• Në 2017, ulim borxhin publik me pothuaj 3%, në 69.1%!
• Në 2017 deficiti 2%, më i ulëti në 25 vite!
• Në 2017, balanca primare është me suficit dhe më pozitivja në 25 vite në +0.7% (thënë ndryshe, shpenzimet për aktivitetet e qeverisë, janë më të ulëta së të ardhurat)!
• Në 2017, rrisim pagat dhe pensionet – duke ulur borxhin – me reforma dhe konsolidim fiskal!”, shkruan Ahmetaj.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb