TIRANË- Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot se qeveria ka kaluar draft-ligjin për buxhetin e vitit 2017-të pas negociatave të vështira dhe në dakordësi të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Arritëm dakordësi me FMN, kemi pasur negociata të gjata dhe të vështira, konstruktive për buxhetin e vitit 2017-të. Kemi rënë në dakordësi të plotë për të gjithë kuadrin buxhetor. Brenda buxhetit të vitit 2017 financojmë një sërë reformash. Informojmë median se qeveria kaloi draftligjin për buxhetin e vitit 2017. Në bazë të proçedurës të hënën buxheti i kalon parlamentit për diskutim, aprovim”,- tha Ahmetaj.

Ministri u shpreh se ky është buxheti i financimit të reformave, rritjes së rrogave e pensioneve në një kohë që borxhi publik ulet.

“Në këndvështrimin tim ky është buxheti i financimit të reformave, rritjes së pagave dhe pensioneve, i lujes së borxhit publik. U arrit të garantohej një rritje mesatare pagash për administratën publike. U arrit një rritje, indeksim pensionesh prej 3%. Këto efekte fillojnë nga data 1 Mars e vitit 2017. Pensioni i marsit do të merret i rritur, paga e marsit në fillim të prillit do merret e rritur. Borxhi u ul nga 69% në 69,1%”,- tha ai.

Në kuadër të shëndetësisë falas, ministri Ahmetaj tha se edhe brenda buxhetit të vitit 2017 do zgjerohet lista e rimbusimit të ilaçeve për të gjithë shqiptarët, pra listës së përfituesve iu shtohet numri prej 600 mijë shqiptarësh që nuk ishin të përfshirë më herët.

“Buxheti rimburoson ilaçet për gjithë shqiptarët, shtohet numri me 600 mijë. Kalojmë në këtë politikë të re, jashtë kësaj skeme kanë qënë 600 mijë shqiptarë që futen brenda skemës”,- sqaroi Ahmetaj.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: