Nga: ERVIN BAKU

Pas trazirave të së dielës së kaluar në “Elbasan Arena”, Komisioni i Disiplinës së Federatës Shqiptare të Futbollit dënoi dy tifozëritë për hedhje të mjeteve ndezëse (po marr termat e përdorur nga vetë KD) brenda rrethimit të fushës dhe për ofendime në grup. Qesharake. Totalisht qesharake. Pse e lejon policia futjen në stadium të mjeteve ndezëse? Natyrisht edhe për shkuljen dhe hedhjen e stolave në fushë. Partizani do të zhvillojë brenda 4 ndeshje pa tifozë dhe Skënderbeu do të zhvillojë 3 ndeshje në stadiumin e tij, bosh. Këto dy vendime janë totalisht të gabuara. Në vitin 2016 nuk duhet të ketë më dënime kolektive. Dënimet duhet të jenë individuale. Secili është përgjegjës për atë që bën. Fillimisht, t’i analizojmë këto dy vendime. E përsëris, totalisht të gabuara. Vjet e masakruan Tiranën. Vijojnë edhe këtë vit. E para, tifozëria e Partizanit shkuli dhe hodhi stolat në fushë pas dhunës që pësoi nga policia. U pezullua apo u dënua me katër ndeshje ai që dha urdhrin e hyrjes dhe ushtrimit të dhunës në sektorin e tifozërisë së Partizanit? Aq shumë fajtore është ndjerë policia sa që të martën është trajnuar në “Elbasan Arena” me qëllim që të mos përsërisë atë gabim të rëndë dhe gafë të madhe. Reagimi i tifozëve nuk ishte ai i duhuri. Ata shkulën dhe hodhën në fushë pronën e përbashkët të tifozëve. Nga ana tjetër, nuk e kuptova pse-në e shkuljes së stolave dhe hedhjen e tyre në fushë nga ana e tifozërisë së Skënderbeut. Federata do që këto veprime mos përsëriten më? Të gjithë e duam. Si veprohet? Në ditët e sotme nuk është shumë e vështirë. Monitoro me kamera dy tifozëritë. Dhe gjithë stadiumin. Në ato stadiume ku nuk ke kamera, instaloji. Federata Shqiptare e Futbollit tani është e pasur. Mund ta bëjë këtë pa problem. Evidento përgjegjësit dhe merr masat e duhura. Është e papranueshme që të dënosh një kolektiv të tërë për gabimet e një grupi individësh. Është totalisht absurde. Kam pesë vjet që flas për këtë. Shikoni si e ka zgjidhur Europa këtë problem. Se kur na intereson, e bëjmë krahasimin me të. Kur nuk na intereson, nuk e bëjmë. Marrim Anglinë (po njësoj është edhe në Gjermani, Francë e gjetkë). Aty nuk ka barriera. Futbollisti shkon dhe e feston golin me tifozët e tij, duke i përqafuar ata. Ka punonjës shërbimi sigurie (stewardw). Nuk shikon policë me sy, Në sektorin e tifozëve jo e jo, por as në fushë. Atij që i merr “koka erë” dhe bën një veprim të ndaluar, dënohet. Si? Mos të shkelë në stadium për aq kohë sa dënohet. Dhe ditën e ndeshjes e ka me detyrim të paraqitet në komisariatin e policisë. Është zgjidhur kështu përfundimisht problemi i dhunës në stadiume. Pse nuk e bëjmë ne këtë??? Sepse marrim zgjidhjen më të lehtë duke dënuar kolektivisht tifozëritë. Ky është absurditeti më i madh. Futbolli nuk luhet në stadium bosh dreqi e mori. Futbolli luhet vetëm dhe vetëm për tifozët e tij. Kampionati shqiptar ka shumë e shumë probleme. Ta privosh edhe nga tifozëria, është qershia mbi tortë e absurditetit. I dëmton dyfish klubet. I privon nga përkrahja e tifozërisë së tyre dhe i dëmton ekonomikisht duke i hequr fitimet e biletave. Partizani nuk luan në Tiranë. Korabi nuk luan në Peshkopi. Luftëtari luajti gjithë fazën e parë jashtë Gjirokastrës. Vllaznia nuk po e gëzon sa duhet stadiumin e saj. Edhe Tirana e provoi “mërgimin” javën që kaloi. Nuk mjaftojnë të gjitha këto anomali. Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon absurditetin me dënime kolektive. STOP. Futbolli luhet për tifozët. Futbolli pa tifozë është si njeriu pa zemër, pa rrahjet e saj, ai vdes.
(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb