PRISHTINE – Lista serbe nuk ka vendosur ende për hapat që do të ndërmarrë pas shkarkimit të Aleksandër Jabllanoviç nga detyra e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës. Branimir Stojanoviç, zv/kryeministër i Kosovës thotë se rreth kësaj çështjeje do të ketë takime të tjerë me kryeministrin Aleksandër Vuçiç dhe serbët e Kosovës. “Po të ndikonte vendimi vetëm te ne, personalisht, më lehtë dhe më shpejtë do ta merrnim. Por, për shkak të kompleksitetit dhe përgjegjësisë që kemi ndaj njerëzve, duhet ta masim mirë çdo hap që bëjmë. Ne në fakt nuk kemi zgjidhje më të mirë, po zgjedhim ndërmjet zgjidhjeve më pak të këqija”, ka thënë ai për Radiotelevizionin e Serbisë. Pretendimet e përfaqësuesve serbë në Parlamentin e Kosovës erdhën pas vendimit të Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për shkarkimin e ministrit serb Aleksandër Jabllanoviç. Jabllanoviç i quajti publikisht “egërsira” gjakovarët, e megjithëse kërkoi falje, në Kosovë shpërthyen protesta. Protestat e nisura paqësisht në sheshet e Prishtinës pasuan me përleshje midis qytetarëve dhe policisë. Opozita dhe kryesisht lëvizja “Vetëvendosje” paralajmëroi se protestat do të vazhdonin deri na shkarkimin e ministrit serb Jabllanoviç. Një ditë përpara tubimit të fundit, qeveria kosovare e shkarkoi ministrin.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb