Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji është thirrur në datën 2 nëntor nga Policia e Tepelenës për të dëshmuar lidhur me parcelat e drogës të filmuara prej tij në muajin gusht. Zyrtari demokrat rreth 4 muaj më parë arriti vetë të hyjë në një nga zonat e mbjella me hashash në Gusmar të Tepelenës dhe të denoncojë nga “vendi i krimit” fenomenin e kanabizimit të vendit. Por mesa duket se ky ‘denoncim’ do t’i kushtojë atij një sqarim më të detajuar para policisë, që kërkon tashmë nga Salianji, që në kuadër të hetimeve, të japë të dhëna më konkrete se për cilën zonë bëhet fjalë dhe se si mundi të shkelë në parcelat me kanabis. Por Salianji mësohet të mos ketë pranuar të shkojë për të dhënë sqarime para Policisë edhe pse në shkresën zyrtare të nisur në adresë të tij lexohet qartë paralajmërimi se në rast refuzimi do të shoqërohet forcërisht për të dhënë dëshminë e tij.
SHKRESA
Në një shkresë pa numër protokolli dhe pa datë, të firmosur nga oficeri i policisë gjyqësore, Zyhdi Sakaj bëhet e ditur ndër të tjera se “për nevoja të procedimi penal, njoftohet personi për t’u paraqitur në Komisariatin e Policisë Tepelenë në datën 02.11.2016 në orën 10:00 shtetasi Ilir Salianji. Paraqitja kërkohet për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit. Në rast të mosparaqitjes ditën dhe orën e caktuar, pa patur pengesë të ligjshme, paralajmëroheni se në bazë të nenit 308 të Kodit të Procedurës Penale, mund të urdhërohet shoqërimi i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore”, – thuhet në letrën drejtuar Sekretarit për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike.

REAGIMI
Ndërkohë me anë të një reagimi në “Facebook”, Salianji shprehet se “Nën kujdesin e posaçëm të policisë droga u mboll, u kultivua, u tha në diell dhe përpunua, u transportua, u shpërnda, u tymos dhe krijoi drama për mijëra familje dhe prodhoi miliona euro për Ramën e Tahirin!
Kjo shkresë është fytyra qesharake e një qeverie që nuk merr seriozisht as procedurat dhe jo më të marrë në konsideratë luftën ndaj krimit dhe kanabisit.
Në datë 1 Gusht publikuam për të gjitha mediat me vendndodhje konkrete, fshatin Gusmar (vendlindja e ministrit Tahiri) të plantacioneve pa fund të kanabisit. Policia nuk mori asnjë masë dhe nuk bëri asnjë ndërhyrje pavarësisht se publikisht apo në përballje publike me drejtues të ministrisë i kam sfiduar për të shkuar në terren për të parë mbushjen e vendit me drogë!
Sot 3 muaj pas denoncimit, policia e Tahirit qesharake deri në dhimbje si vetë ministri, më sjell këtë shkresë pa numër protokolli, pa datë, apo me data të lëna bosh duke kërkuar t’iu tregoj parcelat që vetë kishin mbjellë. Sot që droga është korrur, është tharë, është transportuar në shoqërimin e policisë, është shpërndarë dhe është tymosur duke prodhuar dramë për mijëra të rinj dhe familjet e tyre, e shumë para për Ramën e Tahirin. Sot mund të vij t’iu tregoj se ku shkojnë paratë e drogës dhe si janë bërë gati për të blerë votat për të kërcënuar zgjedhësit e për të mbajtur në pushtet qesharakë të llojit tuaj që paguhen nga taksat e qytetarëve për të luftuar krimin, por të bërë njësh me të”, – shkruan në “Facebook”, Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb