TIRANE – Në përgjigje të pyetjeve të ngritura nga deputetët e opozitës, lidhur me përfshirjen e majorit Sokol Feka në trafikun e drogës në Spanjë, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi se ushtaraku rezultonte i dënuar disa herë nga gjykata për largim pa leje dhe mosparaqitje në repart, ndërsa sipas saj, qeveria e mëparshme nuk ka ndjerë asnjë shqetësim për disiplinën e ulët të këtij ushtaraku. Kodheli theksoi se është opozita ajo që duhet të japë shpjegime dhe të kërkojë falje për atë që e cilësoi, si rrënim të Forcave të Armatosura.
“Majori Feka kishte një karrierë 18-vjecare në Forcat e Armatosura Shqiptare. Ai iu bashkua ushtrisë në një kohë të vështirë dhe me ndryshime rrënjësore për ushtrinë. Ai u titullua oficer në vitin 1996, pas përfundimit të akademisë. Deri në vitin 2001 Feka ka shërbyer si pilot në Farkë. Edhe ai, si gjithë të tjerët, bëri trajnime për t’u përshtatur si pilot helikopteri. Ky major, tha Kodheli, është dënuar dy herë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitet 2005 dhe 2007. Ai është akuzuar për dy shkelje të rënda, largim pa leje dhe mosparaqitje ne detyre. Në të dyja rastet majori ka pranuar akuzat dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar duke vuajtur dhe dënimin e caktuar nga gjykata”,- vijoi ministrja e Mbrojtjes. “Por, majori nuk u ndal me kaq, pasi ai është dënuar të paktën edhe katër herë të tjera për kundravajtje administrative: ne 2007 per mosparaqitje në detyrë, duke iu ndërprerë paga. Me urdhër të komandantit i është bërë ndërprerja e pagës në janar 2008 dhe 2009, kur është gjobitur me 1/20 e pagës dhe gjithnjë problem kane qenë mungesat e pa argumentuara. Por edhe pse ky individ ishte dënuar, atij sërish i është besuar misioni i rëndësishëm i të qenit major, duke ndërmarrë mbi supe misione të rëndësishem për vendin tonë. Pyesni veten zotërinj të opozitës, tha Kodheli, se si forcat e inteligjencës nuk e vunë re këtë problematikë. Në vitin 2009 Feka kërkoi procedurat të jetë major dhe këtu shihet qartë se superiori i tij vlerëson të mos gradohet dhe me gjithë këtë vlerësim të qartë, atij i është dhënë grada major. Por, ky nuk është i vetmi gradim jashtë kriteri gjatë qeverisjes tuaj, për këtë duhet një interpelancë tjetër”, -tha Kodheli.
Ministrja Kodheli vijon të rrëfejë karrierën e Fekës në Forcat Ajrore Shqiptare, teksa zbuloi se majori kishte kërkuar të merrte edhe certifikatën e sigurisë. “Majori është dekoruar tre herë dhe kjo në kundërshtim me të gjitha rregullat, pasi edhe pse mund të ketë pasur aftësinë, kishte shkelje të rënda në disiplinë dhe kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”, nënvizoi Kodheli.
“Por, majori nuk u ndal me kaq, ai kërkoi edhe certifikatën sekrete të sigurisë, marrja e të cilët i jep mundësi majorit të njihet me informacionet më sekrete të vendit tonë. Ai këtë kërkesë e bëri në vitin 2013 dhe për çudi asnjë prej institucioneve SHIU, Policia Ushtarake .etj, nuk gjetën asnjë problem në biografinë e këtij majori dhe e dini përse, pasi Feka u mjaftua të sillte në dosjen e tij një dëshmi penale ku shkruhej se majori në fjalë nuk kishte asnjë procedim apo gjykim gjata periudhës janar-mars 2013, teksa marrja e një çeritfikate të tillë kërkon një analizë të detajuar të gjithë historisë së ushtarakut dhe më tej ky person intervistohet dhe pavarwsisht të gjithave, Shërbimet Sekrete të Ushtrisë i kërkuan shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë pranimin e kësaj kërkese dhe kjo ka ndodhur e gjitha kur ministër ishte një burrë që kishte dritaren nga parku Rinia”, nënvizoi Kodheli. Ajo tha ne vazhdim se e gjithë kjo histori ka marrë jetë pikërisht në momentet kulmore të integrimit tonë në NATO, ndërsa “ne” gradonim një ushtarak që ishte larguar 102 herë nga ushtria pa leje me çertifikate sigurie.
Në fund të fjalës së saj, ministrja e Mbrojtjes akuzoi paraardhësit e saj për një promovim me ryshfet dhe jo me nivel arsimor. “A e dini kolegë se kur hyra në ministri 90% e kolonelëve kur dhanë provimin e anglishtes morën plot 24-40 pikë nga 100 pikë maksimalja dhe këta kolonele duhet të paraqiteshin në misionet e NATO-s. Ju ftoj të vini sot e t’i provoni, të gjithë kanë marrë mbi 80 pikë dhe ky është një dallim i madhe midis dy modeleve, atij të ryshfetit për t’u vlerësuar, që ishte dje dhe modelit sot, promovimit përmes devotshmërisë, disiplinës dhe arsimimit, si modeli që duhet të ndjeke ushtaraku shqiptarë”,- tha Kodheli duke mbyllur fjalën e saj.
Ministrja e mbrojtjes tha se “çështja e ish-ushtarakut Feka është një çështje nën hetim ndaj nuk mund të jepen më tepër detaje që janë pjesë e investigimit”.
STRAZIMIRI: MAJORI FEKA U CERTIFIKUA NGA KJO MINISTRE, ISHTE I BESUARI I SAJ
Deputeti demokrat, Gent Strazimiri tha se ministrja Kodheli shtroi vetëm pyetje dhe nuk dha asnjë përgjigje për përfshirjen e majorit në trafikun e drogës, pasi nuk ka kurajën të japë informacione për ngjarjen.
“Ministrja një informacion këtu e dhe, pa dashje, duke dashur të përbaltësh paraardhësit. T’i ja ke dhënë besimin këtij oficeri me të gjitha ato të dhëna që the këtu. Majori Feka ishte njeri i besuar, certifikimi i tij nga kjo ministre është konfirmimi se është i besuar. Në trajnimin për pilotimin e helikopterëve Couger, kapiteni u zëvendësua nga majori Feka, si i besuari i ministres.”- deklaroi Strazimiri.
STRAZIMIRI: KOMISION HETIMOR PER VEPRIMTARINE E KODHELIT, MINISTRA: PACI FAQEN E ZEZE
Deputeti Strazimiri tha se disponon informacione që lidhen me shkelje të kryera nga ministrja Kodheli, por nuk mund t’i bëjë publike pasi sipas tij, rrezikojnë sigurinë kombëtare. Për këtë Strazimiri propozoi ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e ministres së Mbrojtjes.
Strazimiri: “Propozoj të ngrihet një komision hetimor që të shohë deri në detaje veprimtarinë e zonjës”.
Kodheli: “Unë refuzoj të ulem në nivelin e parafolësit. Populli shqiptar ka një proverbë thotë ju paçi faqen e zezë për këto që thoni”.
Strazimiri: “Të tradhton fytyra e zbehur për këto që the. Të ka plasur bomba dhe ju kur ju plas bomba keni vetëm një model Ambasada sovjetike. Kemi ca vite që traktati i Varshavës ka ndodhur. E gjete ushtrinë në NATO, mos e nxirr që andej mbaje të paktën”.
(er.nu/BalkanWeb)
