NGA ILIR KALEMAJ
Duke qenë se ekonomia e SHBA-ve është në gjendjen më të mirë në dy dekadat e fundit, me një papunësi që po i afrohet normës natyrale të shtimit të popullsisë, me tregjet financiare dhe kapitale që gëzojnë besueshmëri të pazakontë.

Si probleme kryesore ekonomike ngelen borxhi, që ka arritur shifrën e frikshme të 19.5 trilionë dollarëve (apo 58 mijë dollarë për frymë), që shkon rreth 105 për qind në raport me PBB-në, por gjithsesi për një ekonomi që është baras me 17 për qind të PBB-së botërore, edhe një shifër e tillë është e kapërdijshme, aq më tepër nëse ky borxh është i qëndrueshëm, ekonomia është në rritje dhe besueshmëria e ekonomisë është ende A e trefishtë, sipas agjencive që bëjnë matjet përkatëse.

Problem tjetër ngelet edhe deficiti, që është thelluar dhe me trend rritës, apo rezerva e lartë e dollarëve në Kinë, si dhe luftërat tregtare me këtë të fundit. Por përgjithësisht këto janë debate që kanë pasur më pak efekt se në zgjedhjet e kaluara, edhe për shkak se për votuesin e thjeshtë ngelen në kufijtë e debateve me natyrë akademike dhe me pak impakt për sa i përket jetës së përditshme.

Ndonëse ekonomia ende kryeson me pikë përqindjeje në sondazhet e Gallup, bashkë me çështje të tjera të ndjeshme të natyrës sociale, si shëndetësia dhe arsimi, pesha e tyre proporcionale ka ardhur në rënie në krahasim me fushatat e Bill Clinton apo dy fushatat e presidentit Obama etj.

Për herë të parë nga Presidenca e dytë e Xhorxh W. Bush, duket se politika e jashtme dhe çështjet e sigurisë janë rikthyer fuqishëm si një shqetësim kryesor i mjaft amerikanëve, dhe çështje me interes për të tjerë, dhe kjo për shkak se bota po bëhet gjithnjë e më pak e sigurt, dhe kërcënimet nga terrorizmi te ndryshimet klimaterike dhe nga tensionet gjeopolitike te luftërat tregtare dhe kërcënimet kibernetike janë gjithnjë e më prezente.

Por kjo nuk do të thotë që amerikanët ndajnë të njëjtën pikëpamje mbi shkallën e rrezikut dhe nevojën dhe shkallën e ndërhyrjes së SHBA-ve në rolin e paqeruajtësit apo rregullbërësit në shkallë globale.

Disa janë për ndërhyrje më energjetike veçanërisht në zonat në konflikt, të cilat rrezikojnë të eksportojnë terrorizëm dhe ku ndërhyrja amerikane mund të jetë decizive (Irak, Siri, Afganistan), ndërsa të tjerë përqafojnë tërheqjen izolacioniste, e cila ka një traditë po aq të respektuar sa edhe ajo intervencioniste në politikën e jashtme amerikane. Mjaft të kujtojmë thënien e famshme të presidentit amerikan John Quincy Adams: “Amerika nuk shkon jashtë në kërkim të monstrave për t’i shkatërruar”.

Por edhe politika me sfond intervencionist si Doktrina Monroe (e emërtuar sipas një tjetri presidenti të hershëm amerikan), ka në thelb ruajtjen e interesit të SHBA-ve vetëm në Amerikën Veriore dhe Jugore, pa u ngatërruar dhe duke iu qëndruar larg luftërave të largëta dhe komplekse.

Ndërsa presidentë të tjerë amerikanë, nga republikanët Nikson dhe Regan te demokratët Willson dhe FDR, kanë qenë mjaft më ndërhyrës dhe kërkues për rolin që duhet të kenë dhe luajnë SHBA-të në skakierën ndërkombëtare në përputhje me peshën dhe detyrimin që kanë, në përputhje me atë që shpesh është quajtur dhe eksepcionalizmi amerikan.

Në këtë fushatë, duket se pikëpamjet izolacioniste dhe proteksioniste në fushën e tregtisë ndërkombëtare të kandidatit republikan kanë një mospërputhje të dukshme me rolin dhe peshën globale që SHBA-të kanë përgjegjësisë dhe detyrimin të ndjekin sipas kandidates Klinton.

Kjo e fundit, edhe për shkak të eksperiencës së saj si Sekretare Shteti, e njeh mjaft mirë këtë terren, dhe madje kjo pranohet gjerësisht si nga kampet respektive, ashtu edhe nga sondazhet e ndryshme, ku nëse Trump del relativisht mirë në lëmin e ekonomisë dhe çështjeve të natyrës fiskale (me gjithë prirjen kontroverse për të shkaktuar debat edhe te temat me natyrë specifikisht teknike), kandidatja demokrate kryeson bindshëm në njohjen e mirëfilltë dhe të detajuar të politikës së jashtme dhe sigurisë.

Në këtë mes, pa dyshim është mjaft me interes njohja kompetente dhe e detajuar e situatës në Ballkan dhe familjariteti i saj me çështjen shqiptare. Gjithsesi, pavarësisht se kush do të ulet në zyrën ovale, prioritetet e politikës së jashtme amerikane në vitet e ardhshme do të fokusohen në shkallën dhe strukturën e ushtrisë amerikane, e cila aktualisht harxhon dhjetëfish më shumë nga ndjekësi më i afërt, kushtet dhe rrethanat ku trupat tokësore mund të përfshihen në teatro të ndryshëm lufte anembanë globit, marrëdhëniet e SHBA-ve me konkurrentë dhe rivalë si Kina, Rusia dhe Irani, si dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, konflikti me ekstremizmin e dhunshëm radikal, ku vend të veçantë zë shkatërrimi përfundimtar i ISIS-it.

(GazetaShqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb