Pas zgjedhjes së Donald Trump President i 45-të i SHBA-ve, mediat kanë rikthyer disa deklarata të forta të kryeministrit Edi Rama të bëra disa muaj më parë, aspak të favorshme.

Rama ka disa herë në të kaluarën se nëse Donald Trump zgjidhet President i SHBA-­ve, atëherë marrëdhëniet e Shqipërisë me të do të cenohen. Rama ka thënë se Trump është një fatkeqësi për SHBA-­të dhe uroi që ai të mos zgjidhet kurrë President.

RAMA PËR TRUMP NË MARS TEK ZULULAND
Në një intervistë për gazetarin Mustafa Nano në mars të këtij viti nuk kanë munguar fjalët fyese të kryeministrit Rama ndaj presidentit tashmë të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Por gjithsesi, kryeministri tha se nëse Trump zgjidhet, ‘tipa si ai i kapërcejnë këto gjëra të vogla’.

Rama: Unë flas për një gjë që është e qartë edhe për vetë amerikanët, nuk jam unë që e them. Në qoftë se bëhet President i Amerikës, është fatkeqësi e amerikanëve jo fatkeqësi e imja. Juve ju referuat kolegëve tuaj në median europiane, por t’ju referohemi kolegëve tuaj në median amerikane thonë shumë më tepër se kaq për këtë qasje të një kandidati që është një turp i madh për Amerikën dhe pikëpyetje e madhe për të gjithë qytetërimin tonë.

Me shumë gjasa do bëhet president i Amerikës…
Nëqoftëse bëhet, fatkeqësi e amerikanëve, jo fatkeqësi e imja.

Marrëdhëniet Edi Rama me Shtëpinë e Bardhë do jenë marrëdhënie të vështira?
Tipa si ai i kapërcejnë këto gjëra të vogla.

Edi Rama: Donald Trump është një biznesmen që vjen në fushatën amerikane pas një studimi të tregut dhe kërkon të ‘blejë’ të gjitha ato pjesë të kapitalit njerëzor që ka tregu me çdo çmim. Nëse duhet të thotë që të gjithë myslimanët janë terroristë, ai e thotë. Mirëpo kjo rrezikon të alienojë shumë njerëz që nuk u ka shkuar mendja në botë se mund të simpatizohen me terroristët. Njeriut nuk i bën përshtypje lëkura e vet nëse është e bardhë apo e zezë për sa kohë dikush tjetër nuk i thotë ‘lëkura jote është e zezë. Në atë moment identiteti fizik në këtë rast kthehet në një fuqi vetëmbrojtëse që mund të shkaktojë konflikt.

ÇFARË THA RAMA TEK ZONA E DEBATIT 
Fjalët e tij për Trump, Rama i ka përsëritur edhe në muajin prill në emsionin Zona e Debatit në Klan Kosova.
“Unë e kam thënë hapur atë që mendoj për Donald Trump dhe nuk e kam fare problem që ta përsëris, as në shqip dhe as në anglisht. Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro­amerikane”.

Gazetari: Çfarë mendimi keni për Donald Trump?
Rama: Unë e kam thënë hapur atë që mendoj për Donald Trumpin dhe nuk e kam fare problem ta përsëris as këtu as kudo që të jetë; as në shqip dhe as në anglisht, që Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet që është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro­amerikane.

Gazetari: Që i bie?
Rama: Që i bie që mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin President. Sepse do të ishte një President që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro­amerikane.

Gazetari: Po flet si Kryeministër apo si intelektual?
Rama: Jo mo flas si Kryeministër…

Gazetari: Si kryeministër?
Rama: Unë nuk e ndaj asnjëherë veten nga vetja. Sot jam edhe Kryeministër, por në radhë të parë jam Edi Rama.

Gazetari: Nga ky moment ky lajm do të marrë dhenë nëpër botë..
Rama: S’jam unë aq i madh sa të marrë dhenë nëpër botë një fjalë e imja për Donald Trump, por nëse do të merrte dhenë do të isha shumë i lumtur.

Gazetari: Do të ishe i lumtur nëse republikanët…por çfarë do bësh me republikanët?
Rama: Jo nuk flas për republikanët. Flas për një personazh që ka turbulluar aq shumë pjesën e republikanëve sa ata me zor po presin të votojnë për Hilari Klintonin. Dhe të imagjinosh republikanët që votojnë për një Klinton do të thotë që seriozisht e kanë një arsye aq të madhe për ta bërë këtë gjë sa duhet të gëlltisin aq shumë, që është shprehja më kuptimplotë e asaj që përfaqëson Donald Trump.

Gazetari: Ky është kabllogrami më publik që ekziston dhe unë besoj që kur të shkoni në Amerikë do t’ju pyesin për këtë…
Rama: Dhe unë do të jap po të njëjtën përgjigje, patjetër. ­

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: