TIRANE- Kryeparlamentari Ilir Meta ka dhënë një mesazh të qartë për klasën politikë në Shqipëri sa i takon deklaratave pro apo kundër zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku fitoi republikani Donald Trump. Në një dalje para mediave, meta theksoi se palët duhet të jenë të përmbajtura për të ruajtur kështu dhe besueshmërinë e politikës së jashtme shqiptare.
“Pas zgjedhjeve në SHBA në vendin tonë, duhet të jemi më të përmbajtur për të ruajtur besueshmërinë e politikës së jashtëm të Shqipërisë. Në këtë drejtim të forcojmë më tej partneritetin strategjik me SHBA duke respektuar zgjedhjet që bëhen atje sikurse kanë rënë dakord.”, tha Meta.
Po ashtu, Meta nuk i ka shpëtuar pyetjes, e cila është në fokus të gazetarëve, pasi na ndajnë vetëm pak muaj nga zgjedhjet parlamentare 2017, për ‘rimartesën’ PS-LSI. “Unë besoj se LSI do bëjë gjithmonë zgjedhjet që i interesojnë popullit shqiptar dhe integrimit të Shqipërisë në BE.”, tha ai. Ndër të tjera Meta shtoi se: “Besoj se zgjedhja është bërë me kohë që kur është krijuar LSI.”.
Ndër të tjera, kreu i Kuvendit theksoi se vendit i duhet më shumë dialog. “Vendit i duhet më shumë dialog politik dhe shumë konsensus, dhe politikën e jashtme, e cila javët e fundit për zgjedhjet ne SHBA është bërë debat i panevojshëm. Ka pasur konsensus dhe duhet të përqendrohemi te 5 prioritetet dhe të hapim negociatat për BE.”, pohoi Meta.
I pyetur për raportet me fqinjët, Meta tha se “Jemi një shembull i shkëlqyer në bashkëpunimin me fqinjët dhe duhet të veprojmë si një faktor stabiliteti në rajon”.
(ed.me/BalkanWeb)
