LEZHE- Ka tentuar me të gjitha mënyrat t’i shpëtojë policisë po nuk ia ka dalë. Autori i dyshuar i vrasjes së parukjeres Etleva Ndoj me të cilën dyshohet se kishte pasur një lidhje intime është vënë sot në pranga pasi blutë e Lezhës i janë vënë pas automjetit me të cilin udhëtonte.
Autori i dyshuar në momentin që ka vënë re se po ndiqej nga policia, ka braktisur automjetin duke tentuar të largohet me vrap në drejtim të një përroi por është rrethuar dhe kapur në flagrancë nga efektivët e policisë.
Shtetasi Alfred (Bardhok) Nikolli, 31 vjeç, banues në Lezhë dyshohet se për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri shtetasen E.N. 28 vjeçe, banuese në Lezhë.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për vepren penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit ” në ngarkim të shtetasit Alfred (Bardhok) Nikolli.
Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit V.N., për vepren penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë që tronditi gjithë qytetin e Lezhës ndodhi mëngjesin e sotëm në vendin e punës së parukjeres Etleva Ndokaj, 28 vjeç. Ajo u vra me armë zjarri nga 31-vjeçari Nikolli, me të cilin para një viti kishte ndërprerë një lidhje jashtëmartesore. Por ky i fundit nuk e kishte pranuar kurrë, e për këtë ishin konfliktuar disa herë, gjë që çoi deri në krimin e sotëm, kur ai hyri në parukjerinë e 28-vjeçares dhe e goditi me dy plumba nga mbrapa, në prani të një klienteje. Njëri plumb e preku në kokë dhe tjetri në këmbë, duke i shkaktuar plagë të rënda, prej të cilave nuk mundi të mbërrinte gjallë në spital.
(ma.ar/BalkanWeb)
