Prizreni është qyteti me të cilin nis seriali “Dekalogu Kuq e Zi”. Aty zhvillohet një takim mes dy delegacioneve.

Është një zgjatim i mbledhjeve të Shqipërisë dhe Kosovës, ku takohen delegacionet e dy ministrive të arsimit, për të unifikuar abetaren e përbashkët.

Krahas kësaj “Dekalogu Kuq e Zi”, serial komik me dhjetë seri, trajton edhe shumë probleme të tjera, që janë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Projekti që ka bërë bashkë “Stupcat” nga Kosova dhe disa aktorë të “Portokalli”-së nga Shqipëria, është prodhim i “Digitalb”, ndërsa duke filluar nga 26 marsi, do të jepet çdo të enjte në kanalin “T”.

Seriali është me regji të Altin Bashës, e skenarin e kanë shkruar “Stupcat” dhe Florian Binaj.

Çdo seri zgjat 40 deri në 45 minuta, ndërsa krahas aktorëve Gazmend Paja, Vedat Bajrami, Mensur Sahatçiu, Florian Binaj, Osman Azemi dhe Besart Kallaku, luajnë dhe shumë aktorë të tjetër, derisa në serinë e parë, rolin kryesor do ta këtë aktorja Olta Gixhari.

Alban Jaho, administrator i përgjithshëm i “Digitalb”, ka thënë se “të gjithë ne jemi prezent në jetët shoqërore të njëri-tjetrit. Jemi bashkë në shkolla, në stadiume, në biznese, në pushimet verore, jemi bashkë kudo. Ky është një fakt, jo vetëm që dua të identifikohet, por edhe duhet të konsiderohet, dhe besoj që është mirë që këtë edhe ta shtyjmë përpara”, ka thënë Jaho, në konferencën e mbajtur për filmin “Dekalogu Kuq e Zi”.

Ai ka treguar se nuk ka asgjë kundër serialeve turke, latine, apo edhe indiane, por duhet t’i konsiderojmë edhe serialet shqiptare. “Dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, të gjithë ne e kemi në fokus jetën tonë, por e kemi në mënyrë sporadike, jo shumë të organizuar, jo shumë të përqendruar, që do të thotë, brenda të njëjtit serial, brenda të njëjtit prodhim artistik, të çfarëdo lloj zhanri, do të ishte mirë që aty të ishin autorë dhe regjisorë të të dyja trevave”, ka thënë Jaho, duke shtuar se “Shqipëria e Madhe” mund të bëhet nëpërmjet projekteve të përbashkëta artistike.

Altin Basha, regjisori i serialit, ka thënë se “Dekalogu Kuq e Zi”, është një lloj mozaiku i pamjeve të integrimit mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës.

“Jemi përpjekur që të shohim realitete të bashkëjetesës në mes nesh, të njohjes tonë, të bashkimit tonë, sigurisht në filtrin e komedisë, të parodizojmë disa fenomene që i gjejmë në të dyja anët e kufirit të cilat shtrihen nga qeverisja deri te jeta e njerëzve të thjeshtë”, ka thënë Basha, duke treguar se xhirimet e serialit janë bërë në të dy anët e kufirit.

“Nuk ka qenë e lehtë të administrohen 60 personazhe në 10 seri, por na ka ndihmuar eksperienca e aktorëve, dhe skenarët e shkruar me kujdes”, është shprehur ai. Basha është i bindur se në këtë serial aktorët do të shikohen me një pamje të re.

Sipas tij, “Stupcat”, janë më të ndryshëm nga ajo që mund të kenë qenë deri tani, e njëjta gjë është edhe për aktorët nga Shqipëria.

Altin Basha, në përgjithësi ka treguar për përmbajtën që do të kenë dhjetë seritë. Përveç takimit të ministrave në Prizren, pjesë e këtij seriali do të jetë edhe patrullimi i dy policive në rrugët e Shqipërisë dhe Kosovës, pastaj turistët kosovarë në Shqipëri. Futbollistët nuk i kanë shpëtuar këtij seriali, ashtu siç nuk i kanë shpëtuar as spitalet.

Një seri është xhiruar në një ambient muzikor, kur këngëtarët më të mirë mblidhen për të regjistruar një hit muzikor mbarëkombëtar që lansohet Ditën e Flamurit. Mafia, ushtritë e dy shteteve që stërviten bashkë, tregtia mes dy shteteve e dhuna ndaj grave janë të tjera probleme të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, që i trajton seriali komik.

Gazmend Paja, aktor, është shprehur se përveç punës së madhe që kanë bërë, beson se kanë arritur rezultat shumë të mirë. “Jam i bindur që kjo punë do të pëlqehet në Kosovë dhe në shqiptari”, ka thënë Paja.

“Unë si kryeministër i Kosovës, besoj që do të shkojmë në zgjedhje sa më shpejtë”, ka qenë fjalia e parë e Vedat Bajramit. Ai i është kthyer qëllimit të konferencës, duke shtuar se për të seriali “Dekalogu Kuq e Zi” është serial mbarëkombëtar, sepse ka arritur t’i mbledhë gjithë këta njerëz për të realizuar një serial dhe definitivisht ka pasur një guxim të madh që është futur në këtë projekt. “Për ne ka qenë projekti më i mirë dhe më i vështirë, sepse ka qenë koha shumë e shkurt për ta realizuar gjithë këtë projekt”, është shprehur Bajrami.

Mensur Sahatçiu, aktor, duke iu referuar përvojës së tij, ka thënë se në projekte esenciale është energjia, një udhëtim i përbashkët dhe funksionimi si një familje, që, sipas tij, kjo nuk ishte e vështirë që të arrihej.

“Përkundër politikës, gjeografisë, elementeve determinuese, e të gjitha atyre që na rrethojnë, në sofrën shqiptare unë mendoj se pas një kohe ashtu siç jetuam të ndarë, me perde të çeliktë mes veti, pa u integruar shpirtërisht, është e kotë edhe t’i çojmë kufijtë. Ne arritëm të integrohemi dhe jemi munduar të japim atë që do të shihni nesër”, ka thënë Sahatçiu.

Për aktorin Florian Binaj, ky projekt ka qenë një supersfidë, si për “Digitalb”-in ashtu edhe për aktorët.

“Duke qenë se neve na pëlqejnë sfidat, na pëlqejnë që t’i marrim përsipër ato, një fjalë e urtë thotë se ‘trysnia e bën gurin diamant’, edhe ne me shumë pak kohë arritëm që të bëjmë një projekt me 10 seri dhe unë do e përshkruaja ‘Dekalogun Kuq e Zi’ si El klasiko e futbollit, që ky do të jetë ajo gjëja e shumëpritur që ndodhi gjatë gjithë vitit”, ka thënë Binaj, duke shtuar se seriali bashkon dy shtete, bashkon kombin.

Osman Azemi, aktor, ka thënë se ka qenë punë shumë e mirë, por me shumë përgjegjësi. “Besoj që publiku do ta pres shumë mirë këtë projekt”, ka thënë Azemi.

Ndërsa me “një, dy, tre”, e ka nisur fjalën e tij aktori Besart Kallaku, të cili i ra hise të flasë i fundit. Ai tha se jo vetëm që kanë punuar, por edhe kanë jetuar të gjithë çunat bashkë.

“Ka qenë një punë aq e vështirë, dhjetë seri, nga gjashtë personazhe, i thonë gjashtëdhjetë personazhe që është shumë e vështirë të bëhet për një kohë aq të shkurtër”, ka thënë Kallaku, duke shtuar se “gjërat bëhen të lehta kur merr përsipër “Digitalb”, pastaj ia pason Bashës, Basha kros për çunat dhe gol”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: