VLORE- Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja në lidhje me gomonen e cila u gjet e djegur ne daten 26 ne Gjirin e Gramës. Mësohet se mjeti Policia Kufitare ishte vënë në ndjeke të një mjeti lundrues, i cili ishte lokalizuar në Karaburun. Pas sinjalizimit edhe të Guardia di Financa-s, policia nisi aksionin për kapjen e gomones, e cila u gjet e djegur. Po ashtu, burime policore pohojnë se në zonën e pyllëzuar u gjet dhe u sekuestrua rreth 224 kg lëndë narkotike.

DEKLARATA E POLICISË KUFITARE
Mbi bazën e informacioneve të marra më parë, efektivat e Policisë Kufitare të D.R.K.M Vlorë kanë nisur një operacion gjatë natës së datës 13 Nëntor dhe paradites së datës 14 Nëntor. Mjetet detare të Policisë Kufitare Vlorë e Dhërmi dhe të Guardia di Finanza-s, janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues. Gjatë mesditës së datës 14 Nëntor Shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit Dhërmi kanë konstatuar në sektorin Rrugët e bardha -Gjiri Gramës, në vendin e quajtur “Gjiri Shën Andreas”, Karaburun në breg, një mjet lundrues tip gomone, i cili po digjej dhe në afërsi të tij disa qese dhe thasë plastmasi.

Përshkrimi i mjetit lundrues përputhej me informacionin që dispononte Policia dhe që ishte vënë në ndjekje të tij. Menjëherë nga DVKM Vlorë, u morën masa dhe me mbështetjen e D.V.P. Vlorë dhe Delta Force dhe Guardia di Finanza, u ushtruan kontrolle nga deti dhe toka për personat që dispononin këtë mjet lundrues dhe që i kishin vënë flakën për t’i shpëtuar Policisë. Nga veprimet e para të kryera nga grupi hetimor rezultoi se mjeti ishte tip gomone, me gjatësi 12 metra, me dy motorë të markës Mercury” me fuqi motorike 350hp i cili në pjesën fundore ishte i djegur plotësisht ndërsa në bordin e mjetit vazhdonte të digjej një lëndë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Në vendin përreth gomones gjendej e përhapur dhe në thasë plastike lëndë e dyshuar Cannabis Sativa dhe qese plastike të ambalazhuara me mbishkrime në gjuhën Italiane. Po gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar u gjetën edhe disa pako të mëdha me lëndë narkotike. Përreth vendit ku u konstatua gomonia si dhe në zonën e pyllëzuar u gjet dhe u sekuestrua rreth 224 kg lëndë narkotike. Nga Policia po vijon krehja e zonës për kapjen e personave të dyshuar. Provat materiale të gjetura në vendngjarje u transportuan nga Mjeti i Delta Forcë dhe mjeti i Guardia di Finanza, për në Vlorë dhe ju kaluan për veprime të mëtejshme proceduriale Seksionit të Narkotikëve në D.V.P Vlorë. Po punohet për identifikimin e mjetit lundrues dhe të autorëve të kryerjes së kësaj vepre penale. Veprimet dhe verifikimet u bënë bashkë me Nuklin e Guardia di Financa të Vlorës.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: