TIRANË- Kryeministri, Edi Rama ka theksuar edhe njëherë angazhimin e tij dhe të qeverisë për regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Kreu i ekzekutivit ia ka kushtuar komunikimin javor të së dielës pikërisht Samitit të Diasporës pas të cilit tha se është tejet i inkurajuar nga reagimi pozitiv i organizatave të shqiptarëve dhe individëve nëpër botë.

Ai foli për ndërtimin e urave lidhëse mes shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Luginën e Preshevës si dhe në Evropë dhe Botë. Rama premtoi se brenda vitit 2017 do të krijohet Këshilli Kombëtar i Diasporës Shqiptare, që do të jetë një strukturë qendrore që do të udhëheqë veprimtarinë e Diasporës. “Ja pse qeveria dhe diaspora do të angazhohen së pari të krijojnë brenda vitit 2017, Këshillin Kombëtar të Diasporës Shqiptare.
Këshilli do të jetë një strukturë qendrore bashkëpërfaqësuese që do të udhëheqë bashkëpunimin në të gjitha aspektet me diasporën, veprimtarinë për vënien në jetë të angazhimeve të ndërmarra në këtë samit si dhe për të çuar përpara organizimin e aktiviteteve në të ardhmen.
Qeveria jonë është shumë e angazhuar dhe e ka nisur tanimë punën për të bërë regjistrimin e shqiptarëve jashtë kufijve të vendit tonë. Ky proces do të krijojë bazën për votimin në distancë të qytetarëve shqiptarë në diasporë dhe do të ndihmojë në krijimin e atlasit të diasporës shqiptare nëpër botë”, theksoi Rama.

Ndërsa pas urimit për Shqipërinë nuk ka munguar as urimi për Kosovën dhe shqiptarët në katër anët e botës.

FJALA E PLOTË
Kjo javë u shënua si java ku për herë të parë qysh nga rënia e regjimit të vjetër dhe rihapja e rrugës së emigrimit të shqiptarëve nga toka, deti, ajri, shteti shqiptar kujtohet më në fund t’i mbledhë shtegtarët e shqipes në një samit të diasporës. Më mirë vonë se kurrë dhe sidoqoftë kurrë nuk është vonë për t’u angazhuar në një përpjekje madhore të përbashkët, Shqipëria, së bashku me Kosovën dhe shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe kudo në Europë dhe në botë nën moton të pandarë për Shqipërinë.

Samiti mblodhi për herë të parë pa asnjë dallim politik, gjeografik, prejardhjeje, besimi apo brezash rreth 1000 përfaqësues shoqatash të ndryshme shqiptarësh apo individë bashkëkombës nga 40 vende prej të gjitha kontinenteve. Synimi është i lartë, i qartë dhe i thjeshtë: të ndërtojmë një urë të re dhe sa më të fortë komunikimi dhe ndërveprimi në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve mes diasporës dhe atdheut dhe po ashtu të nxisim dhe të mbështesim me të gjitha mënyrat ndërtimin e urave lidhëse mes komuniteteve e individëve shqiptarë në vende dhe kontinente të ndryshme për të shfrytëzuar sa më shumë energji shpirtërore dhe sa më shumë vullnete njerëzore që duan të kontribuojnë për atdheun. E dimë, e di se nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë por jam tejet i inkurajuar nga ky hap i parë dhe nga reagimi kaq pozitiv i kaq shumë njerëzve dhe organizatave të shqiptarëve nëpër botë.

U kërkoj sinqerisht ndjesë të gjithë atyre, tek të cilët nuk mbërriti dot lajmi i këtij organizimi apo ftesa e merituar për këtë organizim dhe shpresoj në mirëkuptimin e tyre pasi, më lejoni t’iu them e nisëm këtë përpjekje në një shkretëtirë të vërtetë mungese të të dhënave, të adresave për shqiptarët nëpër botë. Askush në 20 e kusur vite nuk e mendoi asnjëherë seriozisht t’i kërkojë, t’i regjistrojë, t’i kontaktojë institucionalisht njerëzit e larguar nga ky vend. Prandaj ky fillim është kaq i rëndësishëm, por padyshim edhe krejt i papërsosur.

Ja pse qeveria dhe diaspora do të angazhohen së pari të krijojnë brenda vitit 2017, Këshillin Kombëtar të Diasporës Shqiptare.

Këshilli do të jetë një strukturë qendrore bashkëpërfaqësuese që do të udhëheqë bashkëpunimin në të gjitha aspektet me diasporën, veprimtarinë për vënien në jetë të angazhimeve të ndërmarra në këtë samit si dhe për të çuar përpara organizimin e aktiviteteve në të ardhmen.

Qeveria jonë është shumë e angazhuar dhe e ka nisur tanimë punën për të bërë regjistrimin e shqiptarëve jashtë kufijve të vendit tonë. Ky proces do të krijojë bazën për votimin në distancë të qytetarëve shqiptarë në diasporë dhe do të ndihmojë në krijimin e atlasit të diasporës shqiptare nëpër botë.

Në bashkëpunim të ngushtë me pjesëmarrësit në këtë samit të parë dhe me të tjerët që me siguri do të afrohen hap pas hapi në këtë nismë madhore kombëtare do të krijojmë dhe do të mbajmë të përditësuar një bazë të dhënash për burimet njerëzore të komuniteteve shqiptare kudo në botë. Samiti i parë i Diasporës do të dalë me një deklaratë angazhimesh konkrete për të gjithë sferën e interesit të përbashkët, që nga gjuha shqipe kudo nëpër botë, te investimet private apo përfshirja e njerëzve të diasporës, këtu në jetën e përditshme dhe në administratën e shtetit shqiptar.

Ndjesia e jashtëzakonshme e këtij samiti konfirmon edhe njëherë se sa shumë mund të bëjmë së bashku për Shqipërinë dhe njeri-tjetrin nëse arrijmë të bëhemi bashkë për qëllime të larta dhe të punojmë të bashkuar për t’i realizuar qëllimet. Me mirënjohje të thellë i falënderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit në këtë samit vërtetë mbresëlënës dhe shumë inkurajues. Falënderoj jo vetëm ata që morën mundimin e madh të vijnë nga 40 shtete të botës por edhe ata që u bënë pjesë e këtij kuvendimi të parë përmes rrjeteve sociale. Është një kuvendim që sapo ka filluar dhe që vazhdon në një rrugë që vazhdon për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Mirënjohje dhe shëndet e suksese të gjithëve kudo ku janë. Rroftë Shqipëria! Rroftë Kosova, rrofshin shqiptarët kudo ku jetojnë në të katër anët e botës!

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: