TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur sot në Komisionin Hetimor Parlamentar për CEZ, por kjo ka zgjatur vetëm pak minuta. Për shkak të debateve të ashpra mes tij dhe deputetit socialist Taulant Balla, i cili drejtonte Komisionin, ish-kryeministri Berisha është larguar nga mbledhja.

Pasi ka dalë nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Berisha tha për gazetarët se nuk ishte në dijeni të konfliktit të interesit, siç e quajti ai faktin, se sipas tij “Balla është i dënuar me vendim të formës së prerë”.

I pyetur lidhur me deklaratat e deputetit Balla se largimi i Berishës nga Komisioni, “flet për frikë në përballjen me të vërtetën”, ish-kryeministri tha se u paraqit në komisionin hetimor për të plotësuar detyrimet e tij.

“Kam vullneti më të mirë për të plotësuar detyrimet e mia. Po kështu ndaj edhe një institucioni siç është komisioni hetimor i parlamentit. Por duhet që personi që drejton komisionin të mos jetë në konflikt të hapur interesi. Gjë që të cilën nuk isha në dijeni. Por ajo që më bëri të mos vazhdoj më tutje, është se në mënyrën më të pafytyrë siç është ai, kryetari i Komisionit mashtroi publikun shqiptar dhe tha nuk jam i dënuar. Është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk paguan gjobën. Kur erdha kisha parasysh të bëja detyrën time. Por kur një njeri merr përsipër të mashtrojë qytetarët shqiptarë unë nuk mund ta lejoj. Unë e di cili është ky, por erdha këtu për të bërë detyrën time. Unë nuk dija këtë çështje të konfliktit të interesi, është nën procedurën penale, dhe Arben Ristani që është jurist i shkëlqyer ia lexoi. Kishte zgjidhje të mirë, të pranonte që është i dënuar, dhe unë dëshmitari do të thoja le të vazhdojmë”, tha Berisha.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama dhe ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri meritojnë nga 35 vite burg për vjedhjen që iu kanë bërë shqiptarëve me aferën e CEZ.

“Gjiknuri meriton të kalbet sipas ekspertëve të së drejtës penale, të kalbet në burg të paktën për 35 vjet. Për t’i shpëtuar kësaj ata ngritën këtë komision. Këtë dosjen që morën këta, Gjykata e Lartë e ka gjetur tërësisht të pabazuar. Dosja e CEZ-it, rëndon të paktën 35 vjet birucë për Damianin dhe Edi Ramën sepse janë të vjedhura 630 mln euro.

Nëqoftëse Balla do thoshte po jam i dënuar, isha gati të thosha deklaratën time. E para do shprehen shërbimet juridike të parlamentit për këtë. Së dyti, do lexoj para medias, vendimin e gjykatës së formës së prerë ku Balla është dënuar si shpifës ordiner. Ka akuza të tjera Edi Rama që janë në hetim e sipër por deri sa të marrin formën e prerë ato nuk marrin vlerë. Zotin Rama, nuk e merr gjumi nga vjedhja e tmerrshme që ka bërë dhe paratë of shore të taksapaguesve shqiptarë. Me 630 mln dhe 2 mld të falura CEZ-it janë pak 35 vjet birucë”, tha Berisha.

Ai deklaroi se do të vijë në komision pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Kuvendit, nëse Balla ka apo jo konflikt interesi si kryetar i komisionit.

“Çdo njeri, çdo deputet është i detyruar dhe duhet të vijë. Ai që nuk vjen, merr përsipër të prishë një komision hetimor. Do të vij absolutisht. Nëse parlamenti thotë se nuk ka konflikt interesi, do vij por do lexoj deklaratën”, tha Berisha, i cili ka publikuar edhe vendimin e gjykatës për deputetin Balla ndaj djalit të ish-kryeministrit.
vendimi per Ballen

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb