Ministri i Financave Arben Ahmetaj u shpreh i bindur në efektiv pozitiv që ka sjellë politika e taksës progresive në jetën e shqiptarëve. Gjatë fjalës së tij në parlamentin e Shqipërisë Ahmetaj u fokusua në pagat e pensionet e qytetarëve shqiptarë, që sipas të cilit kanë pësuar rritje në vitet e udhëheqjes së qeverisë Rama.
“Dua të ndaloj në dy aspekte për publikun shqiptar përsa i përket rritjes së pagave dhe pensioneve. Taksa progresive sipas llogarive aritmetike, ka pasur efekt pozitiv tek qytetarët shqiptarë. Aleanca e majtë bëri një lëvizje që u kurseu qytetarëve në 4 vite 540 mln dollarë. 1 vit pas taksës në 2014, është sugjeruar që progresivititei është instrument i shëndetshëm i shpërndarjes së pasurisë dhe uljes së varfërisë. Një i pasur taksohet më shumë se sa një i varfër”, tha Ahmetaj.
Ai theksoi se taksa progresive ka bërë që në xhepat e shqiptarëve të ketë më shumë para se sa gjatë kohës së taksës së sheshtë, politikë e vendosur nga opozita kur ishte në qeveri.
Ndërkohë që deputeti Ben Blushi tregoi në parlament takimin e tij me një pensionist ish-kooperative që merrte 51 mijë lekë të vjetra në muaj dhe pyeste sa do ishte rritja e pensioni, Ministri Ahmetaj përmendi pensionin tek pensioni social, politikë e cila nuk braktis njerëzit në nevojë.
“Ne kemi sjellë 120 mln dollarë në vit, që me taksën e sheshtë nuk do ishin në xhepat e shqiptarëve. Janë 100 mln dollarë që nuk kanë ndodhur kurrë në vit të rriten pagat e pensionet. 4-8 mijë lekë rritje janë të rëndësishme edhe pse jo mjaftueshme. Kjo aleancë solli pensionin social. Në botën tonë nuk i braktisimin njerëzit në nevojë. Ju donit që një 70-vjeçar ta linit në mes të rrugës nëse nuk ka kontribuar, por ne sollëm pensionin social”.
(e.f/BalkanWeb)
