TIRANE- Emisioni “Të Paekspozuarit” i gazetarit Ylli Rakipi që transmetohet çdo të enjte në News 24 trajtoi sot fenomenin e krijimit të një levizje të re që gjithnjë e më shumë po etiketohen si “komunistët e rinj” në Shqipëri. A është pedagogu i Shkencave Sociale, Arlind Qorri një i tillë dhe a duhet të hetohet ai për përhapjen e kësaj ideologjie siç thotë analisti Henri Çili?
Vetë Qorri deklaroi se synimi kryesor i lëvizjes së tyrë është rizgjimi i termit punëtor, ndërsa artikuloi disa prej arsyeve pse ai nuk duhet të quhet komunist.
“Termi punëtor nuk ekziston. Ne flasim për të drejtën për punë dhe të drejta në punë. Ne kërkojmë të zbulojmë dhunën e jashtëzakonshme brenda fabrikave. Tentativa jonë për të formuar një sindikatë punëtorësh është komunizëm? Atëherë na ka lënë mëndja të gjithëve. Është provincializëm intelektual ta konsiderosh atë sulmin me vezë apo me salcë atentat të tipit të brigadave të kuqe. Vetëm me ISIS nuk na kanë krahasuar. Nuk kemi luksin të jemi komunistë, këtu ka vdekur e majta përparimtare”
E ftuar në emision ishte edhe zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Elisa Spiropali, e cila sqaroi pse e quajti “kamikaze” studenten Mirela Ruko, që i hodhi salcë në kokë ministres Nikolla.
“Janë një lëvizje, një grup i vogël njerëzish që kanë mendimet e tyre. Janë pakicë shuëm e vogël. E kam quajtur “kamikaze” ashtu simbolikisht se bëhet vetëm për të rënë në sy, për të krijuar shoë, me kë? Me një ministre krejt të pambrojtur që nuk lëviz me roje. Ishte në një shesh të hapur. Këta i kishin zënë pritë, edhe me Kanun nuk i zihet pritë një gruaje. Dhe për çfarë? Kërkesat e tyre janë primitive”,- sqaroi ajo.
(ma.ar/BalkanWeb)
