Nga: JORIDA TABAKU
Këto ditë në media ka qarkulluar një amendament i miratuar nga Dhoma e Ulët e Parlamentit Italian, që lidhet me kompanitë italiane që përdorin shërbimet Call Center jashtë territorit të Italisë dhe BE-së. Ky amendim i ligjit është dërguar vite më parë në Parlamentin Italian, por u aprovua pas debateve të gjata para dy ditësh si pasojë e rastit “Almaviva”.
Shkurtimisht mbi këtë rast, në prillin e vitit 2016 kompania “Alamaviva” në Itali ka shkurtuar mbi 30 mijë punonjës, si pasojë e konkurrencës së fortë që vinte nga Call Center-at që operonin jashtë vendeve të BE-së dhe që kanë kosto më të ulët. Për rrjedhojë, parlamenti i Italisë rishqyrtoi amendimin e ligjit, i cili:
Detyron kompanitë italiane që kanë Call Center-at e tyre të drejtpërdrejtë (pa palë ndërmjetësuese) të zhvendosin qendrat Call Center në Itali apo vendet e BE-së nga vendet jashtë BE-së. Gjithashtu, ligji, detyron kompanitë italiane që kanë kontrata me palë të treta (siç është rasti i Shqipërisë) që të krijojnë opsionin e lajmërimit të klientit nëse dëshiron të flasë me një operator që ndodhet në Shqipëri apo me operatorë që ndodhen në Itali.
Pikërisht kjo pikë është ajo çfarë ka nxitur një reagim dhe frikësim legjitim të shumë të rinjve që mbajnë familjet, tarifat e studimit, por edhe sigurojnë një të ardhme përmes kësaj forme punësimi. Ligji në fjalë, parashikon që kompanitë që përdorin Call Center me palë të treta, nuk do të përfitojnë më nga lehtësirat fiskale si dhe subvencione të qeverisë italiane. Kjo do të thotë që shumë prej kompanive italiane si pasojë e kësaj shtrëngese do të detyrohen që të ulin çmimin me të cilin paguajnë operatorët e tretë. Këta të fundit, si efekt zinxhir, do të ulin shpenzimet dhe për rrjedhojë do të ketë shkurtime, por edhe ulje rroge.
Nga një llogaritje e thjeshtë, në këtë sektor punojnë rreth 30.000 të rinj. Po çfarë reagimi ka qeveria shqiptare për një situatë të tillë? Ka dëgjuar njeri deri më tani ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale të flasë? Po ministrja e Ekonomisë, është dëgjuar të flasë? Po ministrin e Financave, e ka dëgjuar ndokush?
Po kryeministrin e vendit që nga çdo podium lartëson dhe propagandon një Shqipëri që nuk ekziston vetëm se në përrallat e tij, e ka dëgjuar ndokush të flasë për ndonjë plan në një rast të tillë?
Deri më tani asgjë përpos heshtjes. E cila dëshmon paaftësinë e një qeverie të kurdisur vetëm për të ngritur taksat dhe jo për të krijuar mundësi punësimi.
Sot, vendi realisht është në një situatë delikate. Shërbimet më të rëndësishme (si ai urban, shëndetësor, arsimor) janë rritur ndjeshëm ndërsa të ardhurat jo. Qeveria ka taksuar në këta katër vjet mbi 1 mld USD, ndërkohë që nuk ka rritur numrin e të punësuarve dhe rritja ekonomike aktuale mbahet në këmbë nga investime të djeshme.
Italia, sot është përpjekur të gjejë një zgjidhje (e cila na bie rëndë për shkak të rrethanave tona), ndërkohë që ne nuk kemi asnjë ofertë për investitorët e huaj. Mbyllja e këtyre Call Center-ave do të shoqërohej me emigrimin e të rinjve, uljen e konsumit, uljen e çmimeve në tregun e banesave, rritjen e papunësisë dhe një gjendje paniku.
Përballë kësaj sfide, qeveria ka vendosur të heshtë, ndërkohë që opozita ka ofertën e saj. Politikat e ulëta fiskale, një taksë e sheshtë dhe, mbi të gjitha, subvencione dhe mundësi për të investuar në vend; janë ilaçi që mund të mbajë ende në jetë këto vende pune që sot janë më të shtrenjta se kurrë.
(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: