TIRANË- Një thirrje për ndihmë në numrin 112 ka vënë në lëvizje policinë e Tiranës. Burime zyrtare pohuan për BalkanWeb se policia është vënë në ndjekje të një automjeti tip “Alfa Romeo” pasi një person ka telefonuar në numrin 112 dhe ka denoncuar se nga kjo makinë janë kërcënuar me armë disa qytetarë.

Pas disa minutash ndjekjeje, në rrugën “Siri Kodra”, pranë magazinave autorët e kanë hipur makinën mbi një trafikndarëse dhe më pas e kanë braktisur aty dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.

Nga këqyrja e makinës, efektivët e policisë kanë gjetur një sasi të vogël kokaine në kroskot. Ndërkaq policia ka identifikuar pronarin e mjetit, shtetasin me iniciale B.K. dhe përdoruesin e tij, 25-vjeçarin me iniciale K.L., i cili rezulton me precedente penal në fushën e vjedhjes.

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 02.12.2016, rreth orës 14:40, ka ardhur një telefonatë në numrin e emergjencave 112, se në kryqëzimin e rrugës “Mujo Ulqinaku”, me rrugën e “Kavajës”, në automjetin tip “Alfa Romeo”, dyshohet se personat në brendësi të saj, qarkullojnë me armë zjarri.

Rreth orës 20:30, shërbimet e skuadrës “Shqiponjat”, kanë konstatuar mjetin në afërsi të ish restorant Durrësit, të cilët duke përfituar nga mbyllja e semaforit, kanë krijuar pak distancë të mjaftueshme për të braktisur mjetin dhe për tu larguar.

Nga kontrolli i ushtruar në mjet janë gjetur dy doza me lëndë të dyshuar kokainë.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka identifikuar pronarin e mjetit shtetasin B. K., gjithashtu ka arritur të identifikojë se përdorues i këtij mjeti është edhe shtetasi K. L., 25 vjeç, me precedent penal në fushën e vjedhjes. Po punohet për gjetjen e personave të cilët ndodheshin në këtë mjet.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb