TIRANE- Mediat greke kanë risjellë sot në vëmendje rastin e vdekjes në mënyrë misterioze të 16-vjeçares Kostandina Anagnosti dy vjet më parë, më 14 nëntor 2014, pasi Prokuroria e Janinës ka ngritur akuzë për vrasje për shtetasin Spiro Papa, taksisti që shoqëroi vajzën nga Greqia për në Sarandë.
Burime të BalkanWeb thonë se edhe pse prokuroria e Sarandës e cilësoi vdekjen natyrale, familjarë të viktimës nuk e lanë me kaq çështjen por vijuan ekspertizën mjeko-ligjore dhe hetimet në Janinë, aty ku banonte vajza, e cila ditën kur humbi jetën shoqërohej nga taksisti Papa. Ky i fundit njihej edhe për një lidhje me të ëmën e viktimës.
Sipas mjekut ligjor grek Dimitri Galenteri, në trupin e viktimës përveç mungesës së organeve të hequra nga mjekësia ligjore shqiptare, u gjet dhe një sasi e lartë lidokaine, çka përforcon dyshimet e të atit të vajzës, që thotë se e bija nuk vdiq për shkaqe natyrale, por pasi u dërgua të abortonte në një klinikë në Sarandë.
Edhe më herët në ekspertizën e bërë në Greqi u hodhën dyshime të forta se vajza, humbi jetën në një klinikë aborti për shkak të dozës së lartë të narkozës që kishte në trup.
Mjekët nuk i përcaktojnë shkaqet, pasi kur është bërë autopsia në Janinë, gjatë incizionit të barkut ata kanë gjetur një qese të zezë plastmasi me pjesë nga organe të ndryshme të vajzës, të cilat janë përdorur për të bërë analizat istologjike. Analizat nuk tregojnë asnjë anomali pathologjike. Raporti thotë se mungonin organet kryesore; truri i madh, i vogël, laringu, faringas, zemra, mitra, vezoret, stomaku, etj, të cilat pamundësojnë një rezultat të qartë të shkakut të vdekjes. Sipas ekspertizës, në gjakun e marrë nga trupi i vajzës është gjetur 13.6 Mg/ml lidokainë, narkozë e pjesshme e cila ka arritur deri në urinë. Ky fakt tregon se vajza ka marrë këtë medikament mbi 2 orë para se të vdiste. Ky medikament sipas ligjit të mjekësisë përdoret nga 2¬5 Mg/ml sipas moshës dhe peshës, ndërsa në trupin e vajzës është gjetur një dozë e trefishtë. Ekspertiza e dytë u bë në Tiranë nga një grup prej 3 mjekësh, dhe vërtetoi se ora e vdekjes së vajzës ka qenë nëpërmjet harkut kohor 11.00¬-13.00 të drekës.
Kjo përforcon dyshimin se Kostandina u nis nga dentisti, në 12:30 dhe u drejtua në klinikën për abort ku dhe humbi jetën nga doza e tepërt e narkozës. Ndërkohë që në urgjencën e Spitalit u dërgua e pajetë në orën 03:30 të drekës.
(ma.ar/BalkanWeb)
