Nga ELTON DONO*
Një miliardë lekë janë të ardhurat që ka realizuar për vitin 2014, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Korçë, duke u renditur ndër qarqet me të mira në vend përsa i takon realizimit të të ardhurave.
Shifra u bë publike gjatë analizës vjetore të këtij institucioni, ku mori pjesë edhe Drejtorja e Përgjithshme e Institutit te Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho. Sipas saj, realizimi i planit të të ardhurave në masën 302 % si dhe reduktimi i kohës për lidhjen e pensioneve, nga 54 ditë në 20 ditë, janë disa nga arritjet e vitit 2014.
“Ka pasur arritje të shkëlqyera, – tha Braho, – kur plani i të ardhurave për vitin 2014 është realizuar 302%; kur falë rritjes së performancës për t’iu shërbyer sa më mirë qytetarëve, janë ulur mjaft afatet e lidhjes së pensioneve; kur ditët mesatare për lidhjen e një pensioni janë 20 ditë. Njëkohësisht, jemi futur në procesin e reformës së re të pensioneve, duke filluar nga data 1 janar, – theksoi ajo – dhe puna që po bëhet pranë kësaj drejtorie është shumë e madhe.”
Rritja e numrit të kontribuesve në skemën e Sigurimeve Shoqërore, rritja e performancës së shërbimit ndaj qytetarëve, realizimi i planit të të ardhurave dhe realizimi me sukses i reformës së re të pensioneve, jane disa nga objektivat e këtij institucioni për vitin 2015.
(Në foto: Mbledhja për analizën vjetore të ISSH-së në Korçë.)
(ar.sh/BalkanWeb)
