TIRANË- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka zgjedhur emisionin “Studio e Hapur” të moderatores Eni Vasili në “News 24” për të treguar ndryshimin e madh në Shëndetësi në tre vitet e fundit, ndryshim që sipas tij merr hov edhe nga partneriteti publik-privat, siç është ai për hemodializën, check-up-in, dhe streilizimin. I pari i Shëndetësisë është i bindur se shqiptarët po marrin shërbim më të plotë falë koncesioneve.

Ai është ndalur edhe tek koncesioni për laboratorët, i cili ka hasur kundërshtime të shumta nga bluzat e bardha, madje ka patur edhe protesta nga laburantët.

Eni Vasili: Do doja të flisnim së pari për koncesionet. Ka patur akuza për këto koncesione, madje edhe protesta nga laburantët.
Ilir Beqaj:

Partneriteti Publik-Privat nuk është koncesion. Koncesion është një e drejtë që shteti e ka dhe vendos t’ia japë dikujt, ai ta shfrytëzojë dhe më pas vendosë si të ndajnë të ardhurat. Ligji që flasim ne përveç koncesionit është PPP, të cilat shteti ose i thotë privatit më kryej ti disa misione që unë kam detyrë për t’i kryej, ose më ndihmo ti t’i kryejmë së bashku. Nëse duam të ilustrojmë me të tre rastet, pa ardhur tel laboratorët në Shëndetësi, PPP i dializës është një rast tipik ku unë jam i detyruar t’ia garantoj seancën e hemodializës çdo pacienti tre herë në javë, dhe për këtë paguaj privatin. Vijmë tek check-up-i. Unë kam për detyrë me ligj t’i ofroj shqiptarëve një kontroll bazë parandalues falas dhe e bëj këtë gjë bashkë me privatin, sepse e bëj në qendrat e mija shëndetësore, me personelin tim mjekësor. Ai më ndihmon me investimin fillestar në të gjithë vendin, më ndihmon me çmimin laboratorik dhe me logjistikën e lëvizjes së mostrave të gjakut, feçes dhe urinës nëpër Shqipëri, bashkë me sistemin e informacionit. Vijmë tek ai që quhet Sterilizim, nuk është vetëm sterilizim, është në radhë të parë furnizim i instrumenteve kirurgjikalë, modernë dhe cilësorë. Për herë të parë do të vijnë në Shqipëri 92 mijë instrumente, të cilat unë kam për detyrë që kur shqiptarët të hyjnë në sallat e operacionit të operohen siç duhet, me cilësi dhe me standard steriliteti dhe i them një privati, eja më furnizo fillimisht këto, mi sterilizo çdo ditë, mi sill çdo ditë në sallën e operacionit. Në fund të ditës, mi merr, mi sterilizo, ma pastro sallën e operacionit, më furnizo ekipin mjekësor dhe shtratin e operacionit me njëpërdorimshmet dhe në fund të ditës merri, ktheji në mbetje urbane. Pra, nuk janë koncesione në konceptin ekonomik dhe juridik të koncesionit dhe nga ana tjetër nuk po i japim gjë privatit.

Eni Vasili: Po i jepni para shumë…
Ilir Beqaj: Nuk po u japim para. Ky është dallimi mes partneritetit dhe tenderit. Në 3 vitet e fundit të kontratës, riinvestohet i gjithë investimi. Do të mbeten instrumentet kirurgjikalë, të rinovuar me teknologjinë e 2024, sistemi ku bëhet hemodializa, laboratorët e check-up, pra, kur të përfundojë kontrata.

Arion Sulo: Nuk po ju akuzon njeri për këto por për check up. Keni dhënë para për 355 mijë persona kur e kanë bërë 242 mijë…
Ilir Beqaj: Ti marrim me radhë. Gjendja në spitale ka ndryshuar po të pyesim kirurgët e QSUT kanë bërë revolucion në eksperiencën e tyre, për shkak të instrumenteve të rinj. Sot një vit, të gjithë kirurgët e Shqipërisë do të mund të kenë këto instrumente. Rezultati në dializë është shumë i mirë.

Arion Sulo: Pse punojnë në privat pasdite?
Ilir Beqaj: Sot një vit në QSUT të gjithë kirurgët do punojnë me instrumente bashkëkohorë në të gjithë Shqipërinë. Shkoni nesër në Elbasan shikoni mënyrën e turpshme si bëhet hemodializa nga 1 shkurti do ndryshojë. Dializa ka ndryshuar katërçipërisht, bëhet në Vlorë dhe Lezhë. Dje shkonin tek privati, Me 80 euro qytetari i bën dializën në qytetin e tij.

Eni Vasili: Kur thoni që kirurgëve do ju ngelen këto mjete, pyetja që bëhet është, pse nuk i bleu ministria këto instrumente?
Ilir Beqaj: Sepse nuk kishte 10 milion euro për të blerë instrumente, do ia japë privatit këto para për 10 vjet, pak nga pak, ky është ndryshimi. Unë si shtet s’kam hapësirë fiskale si shtet dhe zgjedh këtë mënyrë, vjen privati me paratë e veta bën investimin fillestar, sigurisht që fiton…sepse edhe kjo që themi çfarë kanë publike spitalet tona godinën dhe njerëzit gjithçka tjetër unë e blej.

Arion Sulo: Pse klientët tuaj janë gjithnjë të njëjtët?
Ilir Beqaj: Ndaluni tek shërbimi, është shumë i mirë, shko shiko në Elbasan, sa e domosdoshme është që të ndryshojë.

Arion Sulo: Nëse Check up është sukses pse keni paguar 1,7 mld lekë më shumë ?
Ilir Beqaj:Kemi paguar sipas kontratës, po ta shpjegoj. Tek kirurgjia i marrin sipas volumit që bëhet faktik, merr aq sa bën për çdo operacion, Tek dializa uishte prvat bëhet priovat. Vijmë tek Check up është i domosdoshëm për të bërë parandalimin e sëmundjeve. Të drejtën e kanë 950 mijë shqiptarë, në grupmoshën 40-64. Që të bëhet siç duhet ky proçes ngrihet një makinë logjistike që të funksionojë njësoj si në Tiranë dhe në fshatin më të largët. Janë 60 automjete që bëjë këtë punë çdo ditë, marrin tuba gjaku nga çdo cep i Shqipërisë. Kemi në kontratë 40 mijë kontrolle në muaj, edhe nëse bëhen 31 mijë unë kam detyrim të paguaj për 40 mijë sepse kështu ka rezultuar që në studim, se pa këtë minimum ky sistem nuk funksionin.

Erl Murati: Duke u ndalur tek Partneriteti Privat-Publik, a kemi të bëjmë me një dështim të vizionit të qeverisë për shëndetësinë? Ka një mospërputhje nga ajo që premtuat me bilancin që po mbyllni në këto 4 vite…Shqiptarët po dynden gjithnjë e më shumë drejt spitaleve private…
Ilir Beqaj: Kjo është e pavërtetë

Erl Murati: Ndryshimi është minimal…
Ilir Beqaj: Në vlerësimin tim është i madh. Në 2013 në çdo 100 lekë që shqiptarët harxhonin për shëndetësi 57 lekë i nxirrnin nga xhepi. Në 2017 nxjerrin 45 lekë. Ende nuk është mirë, duhet të arrijmë tek 65 që të jemi në një shoqëri të drejtë dhe të ndershme, por ndryshimi për 4 vjet është goxha i madh. Unë po të them çfarë ndodh tek publiku.

Erl Murati: Ministria e Shëndetësinë metaforikisht është katandisur duke marrë nënkontraktorë nëpërmjet PPP. A ka dështuar publikja?
Ilir Beqaj: Zero proteza në 2013, 180 milionë lekë do jepen vitin e ardhshëm për proteza të reja , 1 milion sivjet. Këtë vit QSUT, Trauma, Durrësi filloi kontrata. Kemi thënë do zgjerojmë bashkëpunimin me jopublikun, bëmë paketat, i çojmë pacientët për transplante veshkash tek privati dhe i financojmë ne. Vitet e ardhme detyrimet tatimore për 3 kontratat përbëjnë 5.3% të buxhetit të Shëndetësisë.

Arion Sulo: Nuk ka laborator check up në Tiranë?
Ilir Beqaj: E keni lexuar gabim. S’mund të ndërtohen 400 laboratorë kur vijnë vetëm 8 veta për check up, prandaj lëviz vetëm tubi nga Tropoja në Tiranë.

Erjon Skëndaj: Ministri tha se gazetarët s’kanë shkuar te Chek-upi, por të gjithë e dinë se ka të bëjë me një shtet brenda shteti. Folët për shtim kapacitetesh, nuk e di kujt i referoheni. QSUT është po njësoj. Kemi lulishte e korridore të rregulluara, sistemim për t’u vlerësuar. Por nëse shkoni në reamioniconin e kardiologjisë, pacientët pësojnë një kaos të dytë pas daljes nga operacioni e mbahen në korridore se s’ka kapacitete. Kushtet për pacientët e sëmurë me zemër përballen me këtë realitet.
Ilir Beqaj: Kjo që thoni është provë e qartë e të pavërtetës. Nga 1 nëntori vjet deri sot shërbimi ofrohet në QSUT 24/7 . Që s’ka ndryshuar asgjë është e pasaktë. S’ka ditë që mos jenë në shërbim mjekët. Prej 14 muajsh nuk ndodh më. Në 2013 kishim një spital të rikonstruktuar? Jo, tani e kemi. Reaminacoini është në atë gjëndje që ishte aty (i referohet pamjeve të treguara në TV). Qeveria arriti në përfundimin se ai spital nuk mund të rikonstruktuohet. Do ndërtojmë spital të ri, 11.5 mln euro. Do kohën e vet. Te chekupi, një person me stomak që shkon te mjeku familjes, mjeku e sugjeron te një specialist, kur shkon në chekup, shkon te infermieri. Mjeku vlerëson shumë më tepër, sa përdor alkoolin, duhanin, si është me mbipeshën, prandaj kjo që po bëjmë është sjellje e vëmendjes te shëndeti, dhe te dhënia e rolit te mjeku i familjes që sot nuk e ka.

Eni Vasili: Një pyetje për pacientët me kancer në gjak, që ankohen se nuk kanë medikamente. Sa e vërtetë është kjo?

Ilir Beqaj: Varet për cilin medikament flitet. Përgjithësisht në sëmundjet e kancerit ne ende nuk arrijmë të japim shërbimin e plotë, edhe pse kemi shtuar buxhetin për këtë. Janë disa terapi në të cilat bashkohen dy-tre komponentë. Dhe për këtë bëhen edhe një organizim më i mirë. E ofrojmë këtë shërbim vetëm në Tiranë, dhe në mënyrë simbolike në Durrës. Nuk është e lehtë për pacientët të vijnë në Tiranë 2-3 herë në javë. Po përpiqemi që me fillimin e vitit që vjen disa shërbime të jepen edhe në spitalet rajonale. Është e vështirë beteja me kancerin, nuk e ka fituar asnjë vend. Ka mungesa në disa ilaçe. Por vonojnë edhe për procedura, edhe për nivel financimi. Ka një specifikë çështja e barnave, se kemi mundësuar kontratat disavjeçare. Barnat kanë një regjim të veçantë, një çmim që fiksohet për shtetit dhe prodhuesve. Vështirësia e krijimit të kontratave disavjeçare na bën që të kemi në shkurt, maj, dhe nëntor-dhjetor, probleme.

Eni Vasili: E keni parasysh që mund të keni përballë një person e kancer, dhe ju i thoni po ja procedurat …
Ilir Beqaj: E kam parasysh.

Arjon Sulo: Pse s’ka ilaçe për të sëmurët me tumor?
Ilir Beqaj: Këtu sëmundja diagnostikohet në gradë të avancuar. Mungojnë ilaçet për nivel financimi, edhe pse për shumë barna dhe kemi dyfishuar vlerën e financimit, dhe ende nuk arrijmë të furnizojmë në mënyrë të mjaftueshme. Do të kemi rritje të mëtejshme të financimit për citostatikë.

Arion Sulo: Po i lë të sëmurët me tumor pa ilaçe…
Ilir Beqaj: Më gjej një që në Shqipëri është më i shtrenjtë se në vendin e orgjinës

Arion Sulo: Keni thënë do ulim çminin e barnave, ka çmime ilaçesh që janë rritur…
Ilir Beqaj: Në 2013 barnat gjenerik zinin 65% të vlerës së barnave që vinin në Shqipëri, sot zënë 45%. Shqiptarët sot furnizohen me barna origjinatorë, pra me patentë.

Erl Murati: Kur do furnizohen spitalet me ilaçe? Kur do vijë dita që të mos mungojnë ilaçet në spitale?
Ilir Beqaj: Sfida e furnizimit me ilaçe është e përhershme se shkenca evoluon, barnat e reja janë edhe të kushtueshme. Ne që nga qershori 2015 financojmë një barnë për të shëruar Hepatitin C.


Erl Murati: Në programin e qeverisjes keni thënë se do të ulim çmimin e barnave?

Ilir Beqaj: Nuk ka asnjë bar që kur jam unë ministër të denoncuar si jo të duhur.

Arion Sulo: Ilaçet patriotike këtu nuk kurojnë…
Ilir Beqaj: Kjo nuk është e vërtetë. Është gënjeshtër. Më gjeni sot një ilaç në Shqipëri që është më i shtrenjtë se në vendin e origjinës.

Eni Vasili: A do ishte më mirë se para se të ndërtoheshin qendrat e qyteteve, të ndërtohej një spital?
Ilir Beqaj: Qeveria ka për detyrë të merret me të shëndetshmin, ndërsa unë duhet të merrem me shëndetësinë. Është provuar botërisht se një pjesë e sëmundjeve vijnë edhe për faktorë të jashtëm. Ndaj qendrat e qyteteve duhet të jenë pika referimi, duhet të jenë relaksi. Në Korçë kemi investuar tek poliklinika, kemi investuar në instrumente. Në janar fillojmë rikonstruksionin e maternitetit. Në Korçë kemi mungesë mjekësh specialistë, me gjithë përpjekjet tona për të dhënë inventivë financiare. Vetëm në 2 raste kemi mundur ta bëjmë, për reanimatorin. Ky është një nga problemet e mprehta që kemi në shëndetësi. Ndërsa Bulqiza ka një specifikë që për industrinë që ka aty ka një situatë traumash të përsëritura. Duam të përmirësojmë mjediset dhe pajisjet për atë spital.

Erl Murati: Deputetët e PD e kontestuan projektin tuaj për koncesionin e laboratorëve, por kështu edhe ish-ministri Vasili, edhe deputeti Ylli Ziçishti. Pse ka kaq mister për këtë projekt?
Ilir Beqaj: Nuk besoj se ka ndonjë gjë të fshehtë. Për këtë është diskutuar shumë qershorin e kaluar. Këto diskutime janë hapur edhe atëherë. IFC thotë se ka pjesë të studimit të cilat nuk mund të bëhen publike, sepse nuk është normale t’i dinë konkurrentët që do të marrin pjesë. Pjesën e analizës do të përcjellim në parlament, mund të jetë edhe për publikun, por ka edhe elementë që ata duan të mos t’i dinë konkurrentët.

Eni Vasili: Pse nuk është bërë publik deri më tani?
Ilir Beqaj: Sepse ka qenë në fazën e përfundimit. Është një material voluminoz, është punuar shumë për të. Në mars 2014 është zhvilluar një konferencë për PPP në shëndetësi. Ndërkombëtarët kanë qenë të ftuar. Kur ne kemi vlerësuar nevojat për ët bërë ndryshime të shpejta, dhe janë studiuar mundësitë për PPP. Përmes programeve të ndryshme që po ndiqnim vlerësuam mes tyre edhe laboratorët, dhe pati një disponim nga IFC që donte të angazhohej për konsulencën.

Erjon Skëndaj: Ju keni bërë vlerësim të laboratorik tuaj biokimik që është më moderni në Shqipëri? Ju paguani 300 mijë euro për atë laborator. Çfarë nuk shkoi me atë laborator që ju kaluar në këtë sipërmarrje, dhe po e shtrini në mbarë vendin pa e pilotuar?
Ilir Beqaj: Unë kam thënë pjesëmarrja në check-up është 37 %. Mos krahasojmë mollën me patëllxhanin. Receta elektronike ishte një gjë e re në Shqipëri.

Eni Vasili: Shqetësimet për spitalet rajonalë…

Beqaj: Kemi probleme me burimet njerëzore. Motivimi financiar prej 1 miliard lekësh më shumë nuk ka rezultuar i suksesshëm. Ka disa faktorë. Mungesa e kushteve të punës. Shpërblimi financiar është i rëndësishëm gjithashtu, do rriten pagat me 10%. Mjekët e urgjencës do t’i rritet me 25%. Në Bajram Curr, në Ersekë, shpesh të sëmurët kronikë duhet të shkojnë në Kukës për të marrë këshillën e mjekut specialist. Po bëjmë që të paktën 1 herë në muaj të çojmë ne mjekët tek të sëmurët.
Erl Murati: Ju keni premtuar që do kërkoni dekriminalizimin e gabimit mjekësor? Keni kërkuar ndryshime në kodin penal? Pra gabimi mjekësor të mos dënohet me burg…
Beqaj:  Duhet rishikuar kodi penal, por dhe nga eksperiencat e vendeve të tjera, ne vlerësojmë që është shumë e thatë gabim mjekësor nga 6 muaj deri në 5 vjet. Ka vendime gjykatash që janë dhënë ndaj mjekëve me dënim. Ka nevojë për t’u shtjelluar. Min. Drejtësisë po punon për një kod të ri penal. Modeli slloven kishte një nen edhe për sharlatanizmin, pra si punë mjekësh popullorë. Ka kërkesa nga mjekët për ta hequr vetë. Ne kemi marrë dy propozime dhe ja kemi përcejllë Ministrisë së Drejtësisë.
Erl Murati: Ka ndryshuar lufta kundër korrupsionit në mjekësi që kur keni ardhur në pushtet?
Beqaj:   Ne si ministri jemi përpjekur që të pakësojmë hapësirat për praktika të tilla, kërkim parash, krijim radhës fiktive për të shkuar te paraja. Ka një vlerësim të pavarur që është bërë publik para disa kohësh, që thoshte se tani 2 në 5 korruptohen në krahasim me përpara që ishte 3 në 5. Ka përmirësim. Intervistonim njerëzit kur dilnin nga spitali. Informacioni ishte jashtëzakonisht i pakët. Kemi një sistem që mbledhim për rreth 1 muaj persona që na vijnë, si dhe na sjellim sms, dhe ndërkohë problemi te korrupsioni është pak më ndryshe në shëndetësi në krahasim me atë të drejtësisë.

Arion Sulo: Nuk mungojnë akuzat për ryshfet në spitale?
Ilir Beqaj: Peshqesh, bakshish edhe ryshfet. Janë të dallueshme nga njëri-tjetrin. Çdo shqiptar kur bëhet me fëmijë, sidomos djalë, dhurojnë edhe para. Edhe kur bëjnë rrethprerje (synet), japin para.

Arion Sulo: Në program ke thënë që do të bëjmë taksim të përgjithshëm. Kë bërë ndonjë gjë?
Ilir Beqaj: Taksim i përgjithshëm janë të gjitha taksat që mblidhen në Shqipëri, unë është taksa specifike.

Arion Sulo: ke thënë që për 1 mln të papunë do t’u jap shëndetësi falas?
Ilir Beqaj: Po jua jap. Kanë mjekun e familjes falas.

Erjon Skëndaj: Si paraqitet situata me shërbimin e ambulancave?
Beqaj: Personeli i shtuar në ambulanca dhe personel bëhet për t’i ardhur në ndihmë qytetarë. Edhe pse kishim 180 ambulanca, gjatë ditës kishim 60 mjete në punë.

(ma.ar/el.sp/e.f/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: