SHKODËR – Papunësia dhe rënia ekonomike është bërë shkak që banorët e Koplikut në rrethin e Malësisë së Madhe të braktisin qytetin për të ikur masivisht drejt vendeve të BE-së. Ky qytet, ku më përpara kishte lëvizje dhe qarkullim, tashmë i ngjan një vendi të shkretë. Në shumë lagje të tij lokalet janë thuajse bosh dhe klientët e paktë janë të moshuar. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Koplik, Ramadan Likaj dje pohoi për “Gazeta Shqiptare” se shkak për këtë rënie ekonomike janë bërë edhe bimët medicinale, të cilat nuk tregtohen më si më parë. Sipas tij, i gjithë prodhimi ka mbetur stok. Zona e Malësisë së Madhe njihet për prodhimin e bimëve medicinale kryesisht sherëbelës.
“Këtë vitin e fundit ka rënie ekonomike, duke pasur parasysh se këtu janë të prirur për bimët medicinale. Me keqardhje mund ta shpreh këtë, por tashmë është fakt. Aktualisht tonelata me bimë medicinale, me tregtimin e të cilave banorët siguronin të ardhura, janë stok”, tha Likaj. Mësohet se bimët medicinale që kultivohen në Koplik janë të preferuara kryesisht nga amerikanët. Sipas banorëve, në vitin 2014 ka pasur shitje, por këtë vit ka rënie përsa u përket shitjeve, pasi jo vetëm amerikanët, por edhe blerës të tjerë të huaj i kërkojnë bimët medicinale origjinale dhe jo të rritura me farëra të huaja. “Ky besoj që është edhe shkaku kryesor që po detyron çdo ditë banorët e Koplikut të braktisin vendin e tyre, pasi nuk shikojnë asnjë të ardhme. Qyteti i Koplikut ka 10 mijë banorë dhe me siguri të plotë mund të them se janë shpërngulur mbi 15% e popullsisë”, tha kryebashkiaku Ramadan Likaj.
(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)
