Organizata më e madhe e futbollit FIFA, po mendon të bëjë disa ndryshime në këtë sport. Ajo ka hedhur idenë e heqjes së barazimeve në ndeshjet e fazës së grupeve. Arsyeja e këtij revolucioni është shmangia e kombinacioneve e rezultateve të disa skuadrave në dëm të kundërshtarëve.
Si zgjidhje e kësaj ideje është që nëse sfidat e grupeve në fazën finale të Kampionatit Botëror përfundojnë në barazim, atëherë ekipet do të ekzekutojnë penalltitë.
Megjithatë mbetet kohë për të vendosur se çfarë do të bëhet me këtë hipotezë të ngritur. Çështja pritet të diskutohet në Këshillin e FIFA-s që do të mbahet në 9 dhe 10 janar. Në këtë takim do të flitet edhe për rritjen e numrit të pjesëmarrësve në Botëror në 40 apo 48 skuadra.
Klubet e mëdha europiane janë kundër këtij vendimi pasi sipas tyre lojtarët po zhvillojnë një numër gjithnjë e më të madh ndeshjesh brenda një sezoni. Vetë Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino bëri propozimin për një Botëror me 48 skuadra, duke nisur nga edicioni 2026.
(e.f/ BalkanWeb)
