Kreditimi për ekonominë merr kthesë pozitive. Për herë të parë pas disa tremujorësh, kreditimi për ekonominë ka shënuar rritje. Kështu, në tremujorin e katërt të vitit 2014, bankat lehtësuan standardet për dhënien e kredive për individët, lehtësia e standardeve rezultoi +3.4%. Të dhënat janë bërë të ditura në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, ku mësohet se ekspertët e bankave presin lehtësim të standardeve të kreditimit për individët përgjatë tremujorit të parë të vitit 2015, si për kredinë e dhënë për blerje banese, ashtu edhe për financim të konsumit.

Faktorët që kontribuuan në kahun lehtësues të standardeve të kredidhënies për individë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014, ishin: niveli i konkurrencës në sistemin bankar, gjendja e likuiditetit, vendimet e Bankës së Shqipërisë, si dhe mjaftueshmërinë e kapitalit të bankës. Ecuria e huave me probleme, ndryshe nga vrojtimet e mëparshme, është vlerësuar nga ekspertët e bankave si faktor me kontribut pozitiv në lehtësimin e standardeve. Sipas raportit, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme gjithashtu ndikuan pozitivisht në lehtësimin e standardeve, por në një shkallë më të ulët krahasuar me tremujorin e kaluar.

Nga ana tjetër, gjendja financiare e individëve ishte faktor me kontribut në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë dhënë individëve. Lidhur me kushtet me të cilat jepet kredia, politika lehtësuese e standardeve të kredisë dhënë individëve u zbatua kryesisht nëpërmjet zgjatjes së maturitetit maksimal të kredisë dhe rritjes së madhësisë së kredisë. Sipas qëllimit të përdorimit, bankat raportojnë kërkesë lehtësisht në rritje për kredinë, me qëllim financimin e banesës. Ekspertët e bankave kanë vlerësuar si pozitive, por në ngadalësim, kërkesën për financimin e konsumit. Balanca përkatëse rezultoi +7.2%, nga +31.2% që ishte në tremujorin e mëparshëm.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb