TIRANË – Vangjel Dule, N/Kryetari i Kuvendit, ka theksuar sot se në kohë krizash globale, vendi duhet të kërkojë mundësi për të ecur përpara jo i veçuar, por i ndërlidhur ekonomikisht me vendet e tjera. Duhet të vihemi në lëvizje, – tha Dule, – të veprojmë nëpërmjet buxheteve; nëpërmjet parlamenteve tona dhe nëpërmjet lehtësirave fiskale.

Deklarata e N/Kryetarit të Kuvendit u bë në konferencën “Mbikqyrja parlamentare e buxheteve”, mbajtur sot në Tiranë me ekspertë të fushës dhe specialistë të organizatave të huaja në vend.

“Për t’u interguar në tregun e BE-së, – tha Dule në fjalën e hapjes, – të ndarë s’mund të sjellim një vlerë të shtuar, nuk mund të jemi aq atraktivë për investitorët sa kur jemi të bashkuar. Me këtë rast mund të jemi një oaz i ri investimesh dhe punësimi. Kriza globale ka frenuar rritjen ekonomike dhe ka prekur nivelin e mirëqënies në të gjithë globin, po ky fenomen ndihet më shumë në vende si tonat që janë një hap prapa me vendet e zhvilluara.

Por ne s’mund të shohim vetëm krizat, por edhe mundësitë që lindin për të ecur, – theksoi ai. – Në këtë këndvështrim duhet të gjejmë rrugë të reja për zhvillim, po duhet, veç dëshirës së mirë, edhe veprim dhe mjeti kryesor janë buxhetet: Buxheti i shtetit, që reflekton në mnyrën më të plotë politikën e një vendi; parlamentet tona, që duhet të shtyjnë sa më shumë që një zë të rëndësishëm në planifikimin e buxhetit të kenë veprat infrastruktuore që lidhin vendet dhe së treti, lehtësirat fiskale, ku harmonizimi i taksave të jetë kryefjala.”

(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb