NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Nis sot shpërndarja e shpërblimit për 150 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Përfituesit do të kenë mundësi të tërheqin në zyrat e Postës Shqiptare shpërblimin e fundvitit prej 6 mijë lekësh të rinj. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado tha se është miratuar kalendari i ndarjes së shpërblimeve.

“Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka siguruar të gjitha fondet e marra nga Thesari i Shtetit. Janë transferuar pranë drejtorive rajonale dhe filialeve të Postës në tërë Republikën dhe nesër (sot) në mëngjes, me hapjen e zyrave postare, të gjithë pensionistët që kanë datën e tërheqjes, përveç këstit mujor do të tërheqin edhe shpërblimin”, – tha Hado.

Drejtori i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi njoftoi se deri në datën 29 dhjetor, Posta do të punojë me dy turne.

“Duke filluar që nesër, nga ora 7 e gjysmë e mëngjesit deri në 8 të darkës, Posta Shqiptare do të punojë me dy turne, përfshirë edhe ditën e shtunë dhe të hënën, pavarësisht se janë ditë pushimi”, – tha Lazimi. Për 150 mijë pensionistët që e marrin pensionin me shërbim në shtëpi, Lazimi tha se ky shërbim për ndarjen e shpërblimeve do të jetë falas.

“Shpërblimi i mbi 150 mijë pensionistëve në shtëpi, që sot ne e kryejmë si shërbim çdo muaj, ky shërbim do të jetë falas. Besoj se kjo do të jetë ‘kartolina’ më e mirë që Posta mund t’u bënte pensionistëve”, – tha Lazimi. Posta Shqiptare dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi, përmes së cilës kanë përcaktuar kalendarin e ndarjes së shpërblimeve. Skema u bë e ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi dhe Drejtori i Përgjithshëm i ISSHsë, Astrit Hado.

MINISTRI I FINANCAVE

“Me fillimin e reformës së pensionit, rreziku që ju të mos merrnit një ditë pension ishte real dhe, për shkak të asaj reforme, sot jo vetëm që kemi garantuar që mosha e tretë të jetë e garantuar në pensionin e vet, por kemi futur brenda asaj reforme, një nga elementët më të kujdesshëm, më solidarizues, atë që quhet pensioni social. Pensioni social, shumëkush prej jush mund ta dijë, është ai pension që secili nga ju merr edhe nëse nuk ka kontribuar për arsye të vetat, të drejta apo të padrejta, një pension gati 70.000 lekë të vjetra në muaj në moshën 70-vjeçare. Imagjinoni një pensionist në ditën e parë të vitit të 71-të të gjendej pa asnjë mbështetje financiare! E pra ky është jo thjesht një pension social, po është vëmendje e drejtpërdrejtë që kjo qeveri ka dhe do të ketë për moshën e tretë”, – tha Ahmetaj.

Ministri i Financave bëri edhe një herë të ditur fondin e rritjes së pensioneve për vitin e ardhshëm. “Vitin tjetër të rrisim pensionet për të gjithë, për 643 mijë pensionistët shqiptarë, dhe kjo është shuma më e madhe e akorduar në 25 vite. 36 milionë dollarë në 12 muaj do të jenë vitin tjetër për pensionistët shqiptarë”, – tha Ahmetaj.

SHPËRBLIMET
Fondi i fundvitit për pensionistët është 40 milionë dollarë; fondi i rritjes së pensioneve vitin tjetër është 36 milionë dollarë. Pra, vetëm në kuadrin e një harku prej gati 4 muajsh, qeveria akordon për moshën e tretë 76 milionë dollarë.

KLOSI
Në takimin me pensionistët, kryeministri Edi Rama u shpreh se në sajë të reformës, kontributi i shtetit për pensionet është rritur me 17,7 për qind dhe se kushdo që është në moshë, por nuk ka dhënë kontribute gjatë jetës, do të marrë nga shteti pension social.

“Nëse kjo që bëmë ne në 2 vjet do të ishte bërë 20 vjet më parë, ne do të kishim mundësi që sot të ndërtonim shkolla, çerdhe e të tjera”, – deklaroi Rama.

“Kjo reformë bën të mundur që çdokush të marrë kontributin sipas asaj që i ka dhënë shtetit dhe sistemit të pensioneve gjatë viteve të punës”, – shtoi ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. “Reforma që kemi nisur të zbatojmë me ardhjen në pushtet është, pa dyshim, një nga reformat më historike të ndërmarra nga politika. Morëm një sistem të rrënuar dhe ndërtuam filozofinë dhe kthimin e besimit të qytetarëve te skema”, – u shpreh Klosi.

RAMA ME PENSIONISTËT: SKEMA E RE S’KA MË TAVAN
Nëse reforma e pensioneve do të ishte bërë 20 vjet më parë, shumë pensionistë sot do të përfitonin pensione më të larta”, – është shprehur kryeministri Edi Rama, në takimin e fundvitit me pensionistët. Ai ka shpjeguar skemën e re, sipas së cilës nuk ka më tavan.

“Nëse reforma do ishte bërë 20 vjet më parë, sot jo vetëm ata që kanë dalë në pension pas reformës, dhe përfitojnë pensione shumë më të larta se tavani i bujshëm 220 mijë lekë, po dhe shumë prej ju që keni dalë në pension para reformës, sot do të fitonit pensione shumë më të larta. Sepse skema e pensioneve që ne trashëguam, e pareformuar, ishte një skemë që prodhonte çdo vit 450 milionë dollarë deficit. Që do të thotë se, këto para mbuloheshin nga shteti, në vend që të shkonin për investime. Një skemë e formuar në vitin 1993 me logjikën e vitit 1947, që ishte si një skemë piramidale ku shteti zhytej vit pas viti në një defiçit të thellë për të mbajtur në këmbë skemën”, – tha Rama.

Kryeministri tha se lufta ndaj informalitetit ka rritur dhe numrin e kontribuuesve.

“Sot kush del në pension, nuk e ka pensionin me tavan. Sot kush del në pension, merr një shumë që shkon edhe 400 mijë lekë, për shkak të kontributeve. Dhe, nga ana tjetër, e kemi rritur numrin e njerëzve që kontribuojnë në një sasi të pamendueshme, për shkak se u kombinua lufta kundër informalitetit me interesin për të kontribuar dhe për të garantuar të nesërmen një pension më të lartë”, – vijoi z. Rama. Ai bëri të ditur se në 9 muajt e parë të reformës janë fituar 100 milionë dollarë. Për më tepër, Rama tha se reforma ka edhe pensionin social: pra, edhe ata që nuk kanë dhënë kontribut janë përfitues.

(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: