TIRANE- Shumë shpejt “Parku Olimpik i Tiranës” do të jetë gati. Projekti i shumëpritur nga komuniteti i sportit mori rrugë në qershor 2015, dhe kishte si afat të përfundimit të punimeve 24 muaj, por me shumë gjasa, kjo arenë do të jetë në dispozicion të disiplinave të ndryshme shqiptare më herët nga parashikimet.
Vetë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tregon përmes një video një rrjetin social “Facebook” se Parku Olimpik ka marrë formën e tij të plotë.
“Mbresëlënës progresi te Parku Olimpik! Fundi i vitit, por jo fundi i punëve, thuajse gati Parku Olimpik pranë Liqenit! Vetëm me punë miq ecën Tirana jonë”, shkruan Veliaj.
[fbvideo link=”https://www.facebook.com/ErionVeliaj/videos/10154865302396926/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]
“Tirana Olimpik Park” është një nga projektet madhore që po financohet nga qeveria shqiptare, në ndihmë të sportit shqiptar. Projekti parashikon ndërtimin e godinave e zyrave të shumësportit dhe Komitetit Olimpik, pallatit të sportit me parametra olimpikë, godinave dhe hotelit për ekipet kombëtare, fushave të reja futbollit, pishinave të mbyllura dhe pistën e atletikës.
Ky ambient do t’i kushtojë buxhetit të shtetit një investim prej 6 milionë dollarësh. Siç dihet, tashmë në hapësirën prej 75 mijë metra katrorë, është planifikuar një rikonfigurim i plotë i ambienteve të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, si dhe sipërfaqes përreth saj. Në mungesë të një investimi në këto ambiente prej vitit 1989, në Parkun Olimpik do të gjejnë strehë të gjitha federatat shumësportëshe dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Ky projekt pritet të mbledhë bashkë të gjitha strukturat zinxhir të sportit, federatat, peshëngritjen, mundjen, atletikën, si dhe lojërat me dorë.
Dushe, sauna, dhoma zhveshjesh të ndara, akomodim i veçantë për federatat, një fushë olimpike rreth 13 mijë metra katrorë, janë disa nga ndryshimet që po ndodhin në fushën e sportit.
Palestra e lojërave me dorë do të ketë një kapacitet rreth 1500 vendesh. Ky investim pritet që të rivitalizojë jetën sportive të kryeqytetit.
(el.sp/BalkanWeb)
