TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot pas disa orë diskutimesh planin e ri urbanistik të kryeqytetit. Mbledhja nisi me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të artistit, Bujar Lako, ndërsa palët u përfshinë në debate që në leximin e rendit të ditës.
Ky plan u cilësua si abuziv nga këshilltarët e djathtë për shkak të kalimit të tij pa dëgjesa publike, pa konsultim me qytetarët e Tiranës, në mungesë të plotë të transparencës dhe në kundërshtim me ligjin.
Plani urbanistik u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa PD u shpreh kundër. Këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës thanë se “Jemi kundër këtij plani betonizues e klientelist. S’mund të bëhemi pjesë e asaj që shkatërron Tiranën”.
Kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli, kërkoi të hiqen nga axhenda e diskutimeve plani urbanistik dhe buxheti, dy çështje të kontestuara nga opozita.
Por, kryetarja e grupit të këshilltarëve të PS, Klodi Ferhati, u shpreh se “jane zbatuar te gjitha pikat me rigorozitet. Në emrin tim dhe te grupit te PS jemi kunder këtij propozimi”.
Ndërsa grupi i këshilltarëve të LSI propozuan që të mbahet një seancë e hapur për planin urbanistik dhe ftojnë shoqërinë civile të marrë pjesë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endri Braimllari kërkon që seanca e sotme të kthehet në dëgjesë publike për planin urbanistik.
“Të ftohen grupet e interesit, të shprehin mendimet dhe opinionet. Transparenca është shumë e rëndësishme, çdo qytetar duhet të jetë i qartë për vendimet që marrim, do rrimë këtu edhe 30 orë me qëllim që të gjithë të sqarohen dhe të jemi të qartë në vendimmarrje”,- tha ai.
Sipas Braimllarit, LSI është gati të dëgjojë çdo qytetar për të mbrojtur çdo shqetësim që ata kanë.
Mbi këtë propozim, kryebashkiaku Veliaj dha dakordësinë, çka solli më pas dhe votimin e rendit të ditës dhe pse me votat kundër të opozitës.
Më pas kryebashkiaku Veliaj foli për planet e 2017 për kryeqytetin. “Po miratojme Kushtetuten e 15-20 viteve te ardhshme. Kemi zhvilluar 3 degjesa per planifikimin Urban ku u kemi bere ftesa te gjithe keshilltareve e kete do tua tregoj edhe me fakte. Ka pasur publikime te rregullta ne faqen online te bashkise Tirane per projektin. Sipas planit zgjerojme me 25 mije metra parkun e Liqenit. Tirana policentrike e vleresuar nga mbi 80% e qytetareve. Në janar ftoj keshillin bashkiak te beje nje xhiro e te shohe kur te nise shtrimi me pllaka i zgjatimit të bulevardit”, tha Veliaj.
(BalkanWeb)
