TURQI-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur sot vizitën zyrtare në Turqi, duke vënë kurorë lulesh në Mauzoleun e Ataturkut në Ankara ku edhe u nënshkrua në Librin e Kujtimeve.
Thaçi u shpreh se Kosova dhe Turqia, ballafaqohen me kërcënimin e radikalizmit dhe terrorizmit dhe tha se mekanizmat e sigurisë të dy vendeve kanë bashkëpunim të shkëlqyer. “Prandaj, çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë”-tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kreu i vendit ne Kosovë ka filluar vizitat zyrtare me takime të ndara me Kryetarin e Parlamentit turk, İsmail Kahraman, dhe me kryeministrin Binali Yıldırım. Me kryeparlamentarin Kahraman, presidenti Thaçi ka biseduar për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërparlamentar”,thuhet në njoftimin për media.

Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse që Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, që në ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, İsmail Kahraman, ka thënë se Turqia është dhe do të mbetet mike e Kosovës dhe shtoi se dy vendet Duhet të rrisin bashkëpunimin parlamentar.

Në fund të vizitës në Parlamentin e Republikës së Turqisë, presidenti Thaçi vendosi lule në pjesën e parlamentit të goditur nga predhat në tentim grusht-shtetin të datës 15 korrik 2016.

Në takimim me kryeministrin Binali Yıldırım, presidenti Thaçi ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.
“Vlerësoj partneritetin strategjik mes Kosovës dhe të Turqisë”, u shpreh Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri Yıldırım tha se Turqia do të vazhdojë të promovojë Kosovën në botë dhe e siguroi presidentin Thaçi se do të punojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat.

“Do të vazhdojmë të kërkojmë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Yıldırım.
Thaçi shprehu falënderim për përkrahjen e vazhdueshme dhe ftoi që bashkëpunimi mes dy shteteve të intensifikohet, veçanërisht në sektorin e ekonomisë.

“Investitorët nga Turqia janë ndër më të rëndësishmit”, ka thënë presidenti Thaçi.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: