TIRANE- Deputeti me mandat të ndërprerë, Shkëlqim Selami ka ankimuar sot në Gjykatën Administrative vendimin e KQZ, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit për shkelje të dekriminalizmit. Deputeti i Vlorës Shkëlqim Selami, thotë se nuk paragjykon vendimin e KQZ-së, por do të kërkojë të drejtën e tij në të gjitha shkallët e gjyqësorit siç ia garanton ligji.
“BalkanWeb” zbardh kërkesën e deputetit Selami të dorëzuar në Gjykatë. Selami thotë se KQZ nuk e ka shqyrtuar çështjen e tij në themel. Ai thekson se, akuzohet për një çështje të pushuar nga Italia, vendi që edhe ka ngritur akuzën.
Të njëjtën rrugë pritet të ndjekë dhe ish-deputeti tjetër i qarkut të Vlorës Dashamir Tahiri, avokati i të cilit ka deklaruar se do ta ankimojë në gjykatë vendimin e KQZ.
“Nesër do të ankimojmë në administrative, pasi depozituam ankimim në Kolegj Zgjedhor. Vendimi i KQZ është anti kushtetues. Bëmë dy ankimime sepse ligji nuk e zgjidh çështjen”, tha Braka, avokati i Tahirit.
Sakaq, edhe avokati i Elvis Roshit, Theodhori Sollaku tha se do të ankimojnë vendimin e KQZ brenda afatit ligjor.
KQZ me kërkesë të Prokurorisë vendosi heqjen e mandatit të deputetit, për Shkëlqim Selamin dhe Dashamir Tahirin, si dhe heqjen e mandatit si kryebashkiak i Kavajës për Elvis Rroshin.
(el.sp/BalkanWeb)
