KOSOVE- Ndaj arrestimit të liderit të AAK-së ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes një statusi në ‘Facebook’ Thaçi shprehet se veprimi është i dënueshëm dhe i papranueshëm. Më tej Thaçi thotë se Institucionet e shtetit të Kosovës po punojnë me tërë mekanizmat për lirimin e tij.
POSTIMI I PLOTE I THACIT:
I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i z. Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë.
Ne pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi krenarë që kemi luftuar kundër ligjeve diskriminuese e kriminale të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërkaq drejtësinë tonë e vërtetoi edhe bota e lirë dhe demokratike kur ndërmori fushatën e bombardimit të caqeve serbe.
Institucionet e shtetit të Kosovës po punojnë me tërë mekanizmat që kanë në dispozicion, që sa më parë të korrigjohet ky gabim dhe që z. Haradinaj të lihet i lirë, siç e meriton.
Ky është edhe një argument tjetër pse Kosova duhet të jetë pjesë e institucioneve ndërkombëtare, që ato të jenë në gjendje të zbulojnë të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë, për drejtësinë.
(d.d/BalkanWeb)
