MAQELLARE- Moti i keq, me reshje të dendura dëbore dhe ngrica ka “paralizuar” zonat malore në vend. Prej mëngjesit të sotëm gjashtë automjete kanë mbetur të bllokuara tek “Ura e Topojanit” në Maqellarë. Të mbetur në mes të rrugës e të ftohtit, drejtuesit e mjeteve apelojnë për ndihmë.

“Po na mbarohet karburanti”, thonë ata.

Sakaq, sipas banorëve të zonës nuk bëhet fjalë për 6 makina, por ata thonë se janë dhjetëra makina të bllokuara.

Borëpastrueset kanë qenë në funksion për pastrimin e rrugës nga dëborë, por era e fortë e shpërndan atë, duke mbuluar sërish rrugën.

Aksi rrugor Peshkopi-Tiranë është i bllokuar në të dy kahet, e si pasojë në Maqellarë, automjetet qëndrojnë në rrugë prej disa orësh. Segmenti rrugor është bllokuar tek Ura e Topojanit. Mësohet se në rrugë janë bllokuar edhe persona të sëmurë.

Ndërkohë temperaturat në këtë zonë arrijnë në -10 gradë celsius, dhe era e fortë vështirësoi zhbllokimin e rrugës, gjë që u bë e mundur rreth orës 19:00.

Në rrugën nacionale dëbora arrin në mbi 1 metër.

Drejt Maqellarës udhëtoi sot edhe ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, i cili monitoroi nga afër situatën.

“Në Qafë Buall rruga është e kalueshme për automjetet. Drejtuesit duhet të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirët. Kemi marrë masat për përballimin e situatës”, tha ministri Dervishaj.

SITUATA NE DIBER
Strukturat e Policisë së Qarkut Dibër janë të angazhuara në ndihmë të qytetarëve në nevojë si pasojë e problematikave të shkaktuara nga reshjet e dëborës. Gjatë ditës së sotme shërbimet e Policisë u kanë dhënë ndihmë qytetarëve në dhjetëra raste. Aktualisht është bërë i mundur zhbllokimi i aksit rrugor Maqellarë-Bulqizë në vendin e quajtur “Maranicë”.

Në aksin rrugorë Maqellarë-Bulqizë në vendin e quajtur “Maranicë”, një borë-pastruese, duke pastruar rrugën, ka rrëshqitur dhe ka rënë në një kanal, duke bërë kështu bllokimin e këtij aksi rrugor. Pas ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme, të strukturave të pushtetit vendor si dhe të Drejtorisë së Rrugëve, me ndihmën e fadromave dhe të një borëpastrueseje tjetër, u bë e mundur që pas disa orë pune, të zhbllokohej ky aks rrugor.

Lëvizja në këtë aks tashmë vijon me zinxhirë.

Në vendin e bllokimit do të qëndrojnë punonjësit e policisë si dhe borë-pastruesja, pasi si pasojë e erës së fortë grumbullohet dëborë, duke bërë bllokimin e këtij segmenti.

Gjatë kohës që ishte i bllokuar aksi rrugor, një autoambulancë nga njësia administrative Maqellarë, po transportonte një grua shtatzënë që ishte për lindje drejt Tiranës, por për shkak të rrugës së bllokuar në vendin e quajtur “Maranicë”, autoambulanca është kthyer prapa dhe me ndihmën e policisë ka kaluar nëpërmjet vendkalimit kufitar Bllatë – Dibër e Madhe -Qafë Thanë – Tiranë.

Po gjatë orëve të pasdites, Shërbimet e Policisë i kanë ardhur në ndihmë një tjetër familjeje, ku një grua shtatzënë për lindje, e kanë transportuar drejt Spitalit të Peshkopisë me automjetin e Policisë Kufitare Bllatë, pa asnjë problem.

Si pasojë e kushteve të motit në Qarkun e Dibrës deri në këto momente kemi këtë situatë:

Në Dibër, Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Luzni si pasojë e reshjeve të dëborës të rëna gjatë natës dhe erërave të fuqishme, akset rrugore që lidhin këto njësi vazhdojnë të jenë të bllokuara. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e rrugëve.

Në Njësitë Administrative Kala e Dodës, Sllovë, Arras, Muhurr, Tomin, rrugët janë të hapura dhe kalohet vetëm me zinxhirë.

Në Bulqizë, Njësitë Administrative Trebisht, Ostren, Tërnovë, për shkak të reshjeve të dëborës dhe erërave të fuqishme, vazhdojnë të jenë të bllokuara. Po punohet për zhbllokimin e tyre.

Në Njësitë Administrative Shupenzë, Gjoricë, Zerqan, Fushë-Bulqizë, Martanesh, rrugët janë të hapura dhe kalohet vetëm me zinxhirë.

Në Mat, Njësia Administrative Xibër, për shkak të reshjeve të dëborës, është e bllokuar dhe po punohet për hapjen e saj. Akset e tjera janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Ndërsa aksi kryesor nacional Peshkopi – Bulqizë – Mat është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Shërbimet e Policisë janë të gjitha në gatishmëri, ku po monitorojnë lëvizjen e automjeteve duke ju ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe familjeve që kanë nevojë për ndihmë.

Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin të gjithë lëvizjet e panevojshme, dhe në rast emergjence të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e policisë.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: