TIRANE- Vetëdorëzohet në polici pas 7 muajsh arrati bashkëshorti i gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea. Ish- punonjësi i Kuvendit, Odhise Andrea u vetëdorëzua sot në policinë e Tiranës, ndërsa lajmin e bëri të ditur për News 24 gjyqtari Ardian Visha.

Sëbashku me bashkëshorten e tij, e pezulluar nga detyra si gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, ata akuzohen nga prokuroria për korrupsion, ndërsa ndaj Odhisesë ishte dhënë masa “arrest me burg” në mungesë. Ai akuzohet se ka luajtur rolin e sekserit në një çështje të bashkëshortes së tij, ku akuzohen se kanë përfituar 50 mijë euro për të dhënë vendim në favor të një shtetaseje, për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.

Në momentin që do ndaloheshin çifti u arratis nga vendi, por sot me sa duket Odhise Andrea ka vendosur të vetëdorëzohet, ndërsa ende nuk dihen arsyet.

Prokuroria e Përgjithshme më 16 korrik 2016 zbardhi skemën e dhënies së parave si dhe personat e përfshirë në këtë skemë korruptive. Ndërsa vendimi që shkoi në favor të palës që paguar shumën në fjalë dhe është marrë më 12 korrik 2016, një ditë pasi u morën paratë.

Për dosjen janë arrestuar edhe shtetasit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb