TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta thekson se qeveria është gjithnjë e hapur për përmirësime. I pyetur nga “News24”, lidhur me kritikat e socialistit Ben Blushi ndaj qeverisë, Meta tu përgjigj shkurt: “Qeveria është e hapur për tu përmirësuar”. Deklarata e kryeparlamentarit Meta u bë gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 23-vjetorit të PBDNJ-së.
Në një analizë të publikuar në media pak ditë më parë, deputeti socialist Ben Blushi kritikonte reformat e qeverisë, duke theksuar se më shumë se reforma qeveria po ndërmerr masa që po prekin të varfrit. Në replikë me Blushin, kryeministri Rama tha se nuk ka reforma pa masa dhe reformat pa masa janë të pavolitshme.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS-së, Blushi i kërkoi kryeministrit Rama që të konsultohet me grupin parlamentar për përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Deputeti i qarkut të Elbasanit kërkoi nga kreu i ekzekutivit të zgjerojë rrethin e konsultimeve përpara se të dalë me një listë emrash në 61 njësitë vendore.
(er.nu/BalkanWeb)
