TIRANË- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur ditën e sotme pas mbledhjes me koalicionin opozitar, të cilit i është bashkuar edhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, ndërsa ka bërë thirrje që këtij koalicioni t’i bashkohen edhe parti të tjera.
“Koalicioni opozitar me pjesëmarrjen edhe të PBDNJ dhe AK nënshkruan memorandumin që sanksionon se votimi dhe numërimi elektronik është kusht thelbësor për garantimin e votës së lirë e të ndershme.
Opozita është e bashkuar dhe kauza e saj është e qartë: vota e qytetarëve, vullneti i tyre duhet të vendosë qeverisjen e vendit”, theksoi Basha.
Ai deklaroi se ‘zgjedhjet e lira nuk janë thjesht kërkesë e opozitës, por kauza e të gjithë popullit dhe interes jetik për vendin’.
“Ndaj ftoj të gjitha partitë politike që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme t’i bashkohen koalicionit tonë për votën e lirë. Çdo justifikim apo shmangie nga kjo çështje është kundër interesit të vendit”, u shpreh Basha.
Koalicioni opozitar që bashkoi edhe ish-aleatë të maxhorancës me PD-në nënshkroi një memorandum bashkëpunimi sipas të cilit votimi dhe numërimi elektronik është një kërkesë e patejkalueshme.
(m.k/BalkanWeb)
