TIRANE–Kreu i Kuvendit, Ilir Meta gjatë vizitë së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe përfaqësues të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Meta është pritur nga ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, William Brownfield, ndërsa në fokus të diskutimeve kanë qenë një sërë çështjes të rëndësishme si për forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve tona, reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit te organizuar.
Gjatë takimit u konfirmua mbështetja për implementimin e Byrosë së Hetimit dhe SPAK-u dhe gatishmëria e SHBA-së për të monitoruar nga afër këtë proces. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Meta falënderoi Ndihmës Sekretarin Brownfield për mbështetjen e tij, vlerësoi që Shqipëria ka hyrë në një trend pozitiv dhe shprehu gatishmërinë për të ecur shpejt në implementimin e kësaj reforme të rëndësishme.
Gjithashtu, Meta falënderoi Brownfield për rikonfirmimin e mbështetjes amerikane në zbatimin e reformës në drejtësi si dhe nënvizoi vullnetin e tij të palëkundur për rritjen e fuqisë së zbatimit të ligjit, për luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe për zbatimin me vendosmëri të dekriminalizimit. Meta vlerësoi edhe një herë partneritetin e qëndrueshëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në dhe me NATO-n si garanci të vazhdimit dhe të implementimit të reformave të rëndësishme dhe të domosdoshme në Shqipëri. Në fund të takimit, Ndihmës Sekretari i Shtetit, Ambasadori William Brownfield dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhanë një prononcim të përbashkët për shtyp.
“Në përfundim të këtij takimi me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Meta më duhet të them se Departamenti i Shtetit, veçanërisht zyra e forcimit të ligjit, ndjehet shumë krenare për bashkëpunimin midis dy qeverive tona, duke mbështetur reformën në drejtësi në Shqipëri, miratimin e ligjeve të reja apo reforma kushtetuese. Dhe ne presim bashkëpunim të mëtejshëm edhe në fazën e implementimit të reformave, në mënyrë që të mund të punojmë së bashku edhe në vazhdim për të siguruar institucione të forta, që janë të afta të garantojnë demokracinë, sigurinë dhe prosperitetin për popullin shqiptar”- tha William Brownfield.
Ndërkohë nga ana e tij, Meta u shpreh se: ‘Ishte kënaqësi e veçantë për t’u ritakuar me Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Ambasadorin William Brownfield për ta informuar atë lidhur me ecurinë e suksesshme të reformës në drejtësi. Jo vetëm me miratimin konsensual të ndryshimeve kushtetuese, por edhe me miratimin e ligjeve të tjera kryesore dhe me vullnetin për të zbatuar sa më shpejt këtë reformë përmes ligjit për Vetting-un, por edhe përmes ngritjes së gjithë institucioneve të tjera. Njëkohësisht për ta falënderuar për vëmendjen që Departamenti i Shtetit dhe në mënyrë të veçanta zyra e Ambasadorit Brownfield i kushton mbështetjes së zbatimit të kësaj reforme. Sidomos ndihmës dhe mbështetjes për ngritjen institucioneve të reja, të Byrosë së Hetimit të Prokurorisë Speciale për luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjes që i japin SHBA-të misionit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që është vendimtar për suksesin tonë të përbashkët në realizimin e kësaj reforme.
Edhe një herë falënderoj Ambasadorin William Brownfield dhe jam i bindur që vazhdimësia e kësaj reforme do ta bëjë Shqipërinë një partnere më të besueshme për Shtetet e Bashkuara, për NATO-n dhe për Bashkimin Evropian’.
(d.d/BalkanWeb)
