Disa aktivistë po protestojnë rrugëve të Uashingtonit kundër inaugurimit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, duke thyer xhama dyqanesh dhe dritare makinash si dhe janë përleshur me policinë, të cilët nga ana e tyre i janë kundërpërgjigjur me granata tymuese.

Rreth 500 persona, disa prej tyre të veshur me maska të zeza, kanë marshuar drejt qendrës së qytetit, duke thyer xhamat e një dege të Bankës së Amerikës, një dyqani McDonald dhe një bari Starbucks, të gjitha simbole të sistemit kapitalist amerikan.

Turma, e cila mbante pankarta me shkrime “T’i bëjmë racistët të frikësohen sërish,” u shpërndanë në masë të madhe në qytet, pasi policia iu përgjigj me forcë.

Afro 900 mijë persona pritet të marrin pjesë në Kapitol, ku Donald Trump do të betohet si Presidenti i 45 i SHBA-së. Më parë, disa aktivistë liberalë të ndarë në grupe bllokuan disa nga pikat e kontrollit të sigurisë.

Një organizator i tyre tha se grupi po i jepte zë pakënaqësisë mbi komentet e diskutueshme të Trump rreth grave, emigrantëve të paligjshëm dhe myslimanëve.

(e.f/ BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb