Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Lidhjet e operatorëve të telefonisë, internetit apo të televizioneve kabllore mbi shtyllat elektrike do të priten brenda dy javëve të ardhshme. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka urdhëruar të gjithë sipërmarrësit e komunikimeve elektronike të largojnë lidhjet e tyre ajrore brenda një afati dyjavor. Në një njoftim zyrtar, AKEP bën të ditur se në rast të mos heqjes vullnetare të lidhjeve, do të kalohet në prerjen e tyre brenda datës 30 maj të këtij viti nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas njoftimit të Autoritet të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, kryerja e lidhjeve ajrore është në kundërshtim me rregulloren mbi kushtet teknike për ndërtimin e infrastrukturës së rrjeteve.
SONDAZHET
Sipas njoftimit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, mësohet se informacioni i administruar mbi bazën e sondazheve rezulton se në shtyllat e rrjetit elektrik mbështetet rreth 60% e rrjetit fundor të operatorëve të komunikimeve elektronike. Megjithatë, afërsisht gjysma e këtyre lidhjeve janë braktisur nga sipërmarrësit, për arsye të kalimit në zgjidhje të tjera. Megjithëse nuk janë më në funksion të dhënies së shërbimit, operatorët nuk janë shqetësuar të heqin telat dhe kabllot nga shtyllat elektrike. Pjesë e kabllove ajrore të mbështetura në shtyllat elektrike, në të njëjtën mënyrë të kundraligjshme dhe jashtë kritereve teknike, janë edhe ato të instaluara nga operatorët e ofrimit të shërbimeve audiovizuale ose operatorët kabllorë. Për këto subjekte, AKEP ka kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizuale. AKEP i ka kujtuar Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike se mban përgjegjësi ligjore për moslejimin e këtyre lidhjeve në infrastrukturën e vet të shpërndarjes së energjisë. Vendimi vjen edhe në kuadër të konkretizimit të procesit të njoftuar në takimin konsultativ të zhvilluar më datë 20.2.2015 nga ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe AKEP me grupet e interesit, për prezantimin e projektplanit “Mbi masat për rregullimin e situatës së rrjeteve kabllore ajrore”. Sipas informacionit të administruar mbi bazën e sondazheve, rezulton se në shtyllat e rrjetit elektrik të OSHEE mbështeten rreth 60% e rrjetit fundor (tërësisht instalim joprofesional), nga të cilat rreth 50% e këtij rrjeti është i abandonuar nga sipërmarrësit për arsye të kalimit në zgjidhje të tjera. Gjithashtu, pjesë e kabllove ajrore të mbështetura në shtyllat elektrike në të njëjtën mënyrë të kundraligjshme dhe jashtë kritereve teknike janë edhe kabllot ajrore të instaluara nga operatorët e ofrimit të shërbimeve audiovizuale (operatorët kabllorë), të cilët përveçse subjekte të ligjit për mediat audiovizuale, janë edhe subjekte të ligjit dhe AKEP kërkon që brenda datës 30 maj 2015, të jenë eliminuar të gjitha këto lidhje që mbështeten në rrjetin elektrik për të ndryshuar këtë situatë sa të kundraligjshme, aq të shëmtuar e të rrezikshme për jetën e qytetarëve. AKEP do të koordinojë veprimet me OSHEE dhe AMAn për kryerjen e një ndërhyrjeje emergjente. Në kontekst të veprimeve të përbashkëta dhe mirëkuptimit mes palëve, OSHEE-së dhe AMAs gjithashtu i propozohet marrja bashkërisht e masave të informimit paraprak të të gjitha subjekteve (sipërmarrësve dhe operatorëve kabllorë) që gjenden në trose dhe kabllo ajrore të mbështetura në shtyllat elektrike të çdo tensioni, që brenda një afati jo më të gjatë se 2-javor, këto subjekte të angazhohen dhe veprojnë sipas përkatësisë, për largimin vullnetar të kabllove ajrore. OSHEE dhe sipërmarrësit mbajnë të gjithë përgjegjësinë ligjore për zbatimin e kushteve të sigurisë, prandaj do të vlerësonim impenjimin maksimal për eliminimin e kësaj situate.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
