Edmond Kapllani heq dorë nga nënshtetësia shqiptare për të marrë pasaportën gjermane. Ligjet e shtetit ku jeton prej 13 vitesh ia imponuan sulmuesit rekordmen të Kombëtares shqiptare (5 gola në eliminatoret për EURO 2018) të bënte këtë hap. “Mendova për familjen, kam 13 vite në Gjermani dhe erdhi momenti që të vendosja”, thotë sulmuesi durrsak në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Pas dekretit të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ish-sulmuesi kuqezi pret tashmë të marrë pasaportën gjermane, por ai zbulon se do të tentojë sërish t’i rikthehet nënshtetësia shqiptare. Për këtë, por jo vetëm, 34-vjeçari rrëfeu gjithçka.
Shqiperi-Armeni-4-1024x690
Edmond, në faqen zyrtare të Presidencës, mes personave që kanë kërkuar të lënë nënshtetësinë shqiptare është edhe emri juaj, teksa kreu i shtetit, Bujar Nishani, e ka dekretuar tashmë. Si është e vërteta?
Problemi është se Gjermania nuk e lejon mbajtjen e dy nënshtetësive dhe për të marrë tashmë pasaportën gjermane, më duhet të heq dorë nga nënshtetësia shqiptare. Gjithsesi, unë jam konsultuar me avokatin dhe do të gjejmë mënyrën që, pasi të marr nënshtetësinë gjermane, të nis më pas procedurat për të pasur edhe atë shqiptare. Shqipëria si shtet e lejon dynënshtetësinë, kështu që mund ta rifitoj sërish.

Pse ndodhi në këtë moment kjo kërkesë nga ana juaj, në një kohë që u bëtë shumë vite në Gjermani?
Kam 13 vite në Gjermani dhe erdhi momenti që unë të vendosja, pasi nëse në vitet e kaluara do të kisha marrë një hap të tillë, do t’i krijoja probleme vetes në raport me Kombëtaren. Pra, nuk luaja dot me Kombëtaren nëse do të hiqja dorë nga nënshtetësia shqiptare. Edhe aktualisht që flasim po lëviz me pasaportë shqiptare, derisa të plotësohet i gjithë dokumentacioni dhe të marr atë gjermane. Kjo që bëra ishte e pashmangshme, pasi ligji gjerman ma dikton, duke më imponuar heqjen dorë nga pasaporta shqiptare. U bë një vit që kam nisur procedurat për të marrë nënshtetësinë gjermane dhe po pres.

Në gjithë këtë periudhë, vetëm fakti që keni qenë pjesë e Kombëtares ju ka penguar ta bëni këtë hap?
Unë pasaportën gjermane mund ta merrja edhe para shumë vitesh, por nga fakti që kam qenë pjesë e Kombëtares rregullisht nuk e bëja dot. Kjo procedurë ka zgjatur vetëm prej Kombëtares, pasi nëse doja të merrja pasaportë gjermane, nuk luaja dot me Shqipërinë. Tashmë që nuk jam më pjesë e saj, normalisht nisa procedurat. Është ndryshe për lojtarët e tjerë shqiptarë që kanë ardhur nga Zvicra dhe Gjermania, të cilët kanë lindur në këto vende dhe nuk kanë hequr dorë nga nënshtetësia. Pra, i kanë ende pasaportat gjermane apo zvicerane, qoftë Mavraj, Xhaka etj.

Besoj se ndien keqardhje për mënyrën se si rrjedhin gjërat, teksa duhet të heqësh dorë nga nënshtetësia shqiptare, për më tepër si një ish-sulmues i njohur i Kombëtares, që keni dhënë shumë për vendin tuaj…
Normalisht që më vjen shumë keq. Më besoni, kjo nuk është gjë e lehtë, aq më tepër për mua. Gjithsesi, kjo është diçka që mua më duhet ta bëj patjetër. Është e domosdoshme, pasi kam shumë vite në Gjermani dhe gjithçka po e bëj për fëmijët e mi. Megjithatë, nuk do të thotë se unë e lashë përgjithmonë nënshtetësinë shqiptare.
kapllani

Ju kanë ngacmuar miqtë tuaj shqiptarë për ndryshimin e nënshtetësisë?

Jo, deri më tani nuk më kanë thënë gjë. Kjo ishte thjesht një procedurë që më duhej, sepse më pengonte shumë për gjëra të domosdoshme në Gjermani. Për shembull, nëse do të doja të nisja kursin për trajner, më pengonte fakti që nuk kisha pasaportë gjermane.

Doni të thoni se me pasaportën gjermane do ta keni më të thjeshtë për çdo gjë?
Po, natyrisht, për çdo gjë do ta kam më të lehtë. Në çdo derë që do të shkoj, do ta kem më të thjeshtë. U bëra shumë vite këtu, kjo është e gjitha. Pastaj, ky është një obligim për mua edhe prej familjes. Është diçka normale, pasi kam menduar për fëmijët e mi. Mund t’ju them se nëse do të kisha pasaportën gjermane që në moshën 25-vjeçare, do të luaja pa frikë në kampionatin italian, pasi nuk do të quhesha ekstrakomunitar. Ndërsa me pasaportë shqiptare është e pashmangshme, prandaj dhe lojtarë si Balaj, Roshi apo Sadiku kanë pasur gjithnjë probleme, duke iu mohuar ndonjë mundësi e mirë në shtete si Itali apo Gjermani, ku klubet i kanë të kufizuara vendet për ekstrakomunitarët.

Të kalojmë te futbolli. Jeni 34 vjeç dhe vazhdoni të luani në Gjermani, pikërisht me Elversberg në ligën e tretë. Sa e vështirë është të motivoheni?

Shikoni, nuk është një ligë e lehtë. Në pjesën e parë të sezonit shënova 10 gola dhe ndihem mirë. Presidenti i klubit synon ta ngjisë ekipin në Bundesligën 2, pasi nga ana financiare është shumë mirë. Kushtet janë shumë të mira dhe kam firmosur një kontratë 2-vjeçare. Kjo ishte ajo që më bëri të firmosja për Elversberg, pasi nuk më shkonte ndonjëherë në mendje se do të luaja në këtë ligë.

Në verën e vitit të kaluar u fol shumë për negociatat që keni pasur me klube të Kategorisë Superiore. Na zbuloni kush ishin këto skuadra?

Të them të drejtën kam biseduar me disa drejtues klubesh, por ua kam bërë të qartë që nuk mund të rikthehem në Shqipëri. I kam falënderuar për interesimin, por duke qenë se kam familjen në Gjermani, ishte shumë e vështirë që unë të ndërroja ambient. Sa u përket klubeve, nuk dua të përmend emra, pasi në këtë moment s’do të ishte etike.
Edmond-Kapllani

“Kombëtarja? Nuk mund të presim shumë”

Autori i 6 golave me fanellën kuqezi foli edhe për Kombëtaren. “Pas kualifikimit në Europian u mësuam t’i shikonim gjërat me një sy tjetër. Mirëpo, nuk mund të mendonim se pas atij suksesi do të merrnim zvarrë çdo skuadër që na dilte përpara. Është shumë e vështirë, por të mos harrojmë se me Maqedoninë fituam dhe duhet të kthejmë kokën pas, sepse këtë kundërshtar nuk e mundnim dot vite më parë. De Biazi ka futur në Kombëtare një futboll difensiv, por efikas. Ky është stili i tij, por më shumë nuk mund të presim. Mos të mendojmë tani që De Biazi do të ndryshojë stil, nuk mund të bëhet Guardiola. Secili trajner ka stilin e vet, por natyrisht edhe kritikat nuk mund të mungojnë”, deklaroi 34-vjeçari durrsak.
Lala-lamtumire-Hanoverit-490x234
Nga Mavraj te Lala, me nga dy pasaporta
Rasti i Edmond Kapllanit është i veçantë në ndryshim nga lojtarët e tjerë që prej vitesh luajnë në Gjermani. Emra si Mërgim Mavraj dhe Valdet Rama, që u afruan në Kombëtare pak vite më parë, kanë ende pasaportën gjermane, pasi kanë lindur në këtë vend dhe një ligj i ndryshuar në Shqipëri u erdhi në ndihmë për të mos lënë nënshtetësinë gjermane.

Ndërsa rasti i Kapllanit është ndryshe, për faktin se sulmuesi ka lindur në Shqipëri dhe për të marrë pasaportën gjermane i duhet të bëjë të tjera procedura. Shteti gjerman nuk e lejon dyshtetësinë, kështu që fillimisht duhet hequr dorë nga pasaporta shqiptare për t’u bërë gjerman.
Shumë lojtarë të Kombëtares shqiptare kanë nga dy nënshtetësi. Bëhet fjalë për lojtarët që kanë lindur në Zvicër dhe Gjermani. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, është një rast unik, pasi edhe pse jeton prej afro dy dekadash në Gjermani, ka nënshtetësi italiane dhe shqiptare.

Në të kaluarën shumë lojtarë kanë pasur probleme me dokumentacionin dhe një prej tyre ka qenë kosovari Atdhe Nuhiu, i cili nuk pranoi të hiqte dorë nga nënshtetësia austriake. Edhe ky vend nuk e lejon dyshtetësinë, por gjithsesi, në ndryshim nga lojtarët e tjerë, sulmuesi nuk e pati vullnetin për të bërë atë që kanë bërë më parë disa ish-kuqezinj.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb