Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit ka miratuar buxhetin për vitin 2017. Lëvizja Socialiste për Integrim ka bashkar votat me Partinë Socialiste duke miratuar kështu buxhetin prej 43 milionë dollarësh për këtë vit, raportoi për “BalkanWeb” gazetarja e News24 Klodiana Haxhiaj.
Vendimi që do të kalohej direkt në votim, solli reagimin e ashpër të PD. Kreu i këshilltarëve të PD, Armand Teliti kërkoi fjalën për diskutim në të njëjtën kohë që kryetari i këshillit bashkiak hodhi për votim buxhetin. “Nëse hidhni për votim, ne largohemi nga mbledhja e këshillit bashkiak. Juve po ju lëmë me turpin e kësaj që po bëni. Po i vini flakën mbledhjes më të rëndësishme të këshillit bashkiak. Po pengoni të vetmen gjë që ka opozita, fjalën e lirë,” tha Teliti.
Më herët Flutura Koni, këshilltare e LSI vendosi votën pro buxhetit. “Do ta votojmë buxhetin për të mos penguar punën e bashkisë. Në muajin mars kur të bëhet rishikimi i buxhetit do të bëjmë propozime të tjera,” tha Koni. Ndërkohë, në mbledhjen e fundvitit 2016, LSI bashkoi votat me PD-në, për buxhetin e 2017. Pretendimi i LSI kur dha votën kundër në 28 dhjetor ishte se nuk binte dakord me projetkvendimet e paraqitura dhe se nuk kishte pasur kohë të shqyrtonte buxhetin. Sakaq, PD, i qëndroi me forcë ashtu si në mbledhjen e shkuar edhe këtë radhë, qëndrimit të saj se buxheti shkon për luksin e qeveritarëve dhe aspak për qytetarët.
(e.f/ BalkanWeb)
