Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, për herë të parë ka treguar një histori të vështirë nga jeta e tij gjatë kohës që punonte si gazetar i “Koha Jonë”.
Në emisionin Top Story, ai rrëfeu se si për pak desh e pushkatuan në vitin 1997 në Fier pasi e rrahën brutalisht me shkopa gome.
Rrëfimi i plotë i Pezës
Ishte 1997 kur u vendos gjendja e jashtëzakonshme. Më 3 mars u dogj redaksia e “Koha Jonë”, unë isha reporter në atë kohë. Bashkë me ne që pamë që ishin djegur arkiva e kompjuterat, vjen mes të tjerëve dhe një gazetar italian, Luigi Ipoliteo i Corriere Della Sera, dhe pyeti: Kush është reporteri i kronikës? Dhe meqë redaksia u dogj, më ftoi ta shoqëroja për një tur në Jug. Dhe unë meqë e njihja terrenin mendova të mbaja ditar. Meqë s’do dilte gazeta, mendova t’i botoja shënimet kur të dilte sërish në treg ose të bëja ndonjë libër. Rrugës në Fier na ndaluan, isha me një taksist dhe Ipoliton, dhe unë njihesha si gazetar, por jo me fytyrë, sepse mungonin televizione. Por ishin disa që më njohën dhe na kthyen mbrapsht. Më pas na dolën dy makina dhe na ndaluan në mes të Fierit dhe më rrëmbyen e më çuan në Komisaritatin e Policisë. Lajmi i parë i gazetës italiane (tregon gazeten) ishte “Zhduket gazetari Alfred Peza”, dhe thuhej që unë isha gazetari që i rrinte si gozhdë regjimit të Sali Barishës. Isha i vrarë pothuajse, se disa njerëz veriorë më zhveshën nudo, më rrahën me shkopinj gome, mbi 1 mijë shkopinj numërova mbi trupin tim, dhe më hodhën nja 10 herë kovë me ujë. M’i kishin hequr të gjitha, vunë kapuçë në kokë një skuadër pushkatimi dhe më futën pasaportën në xhep. Dhe thanë: Kur të të gjejnë kur të lirohen arat, të dinë se kush je dhe s’kaluan pak minuta dhe nga gjithë ky moment, filluan disa lëvizje të çuditshme. Gazetari që ishte me mua shkoi urgjent në Tiranë dhe mbajti konferencë, atje ishte Blushi që rastësisht takoi Pollon dhe i tha shiko se na keni vrarë gazetarin. Ky i fundit shkoi te Berisha si komandant i forcave të armatosura që ishte, dhe nuk di se ç’ndodhi por bërja ndërkombëtare e lajmit dhe konferenca e shtypit e gazetarit italian bënë të më shpëntonte jetën. Më kthyen dhe më lanë me disa nejrëz të tjerë të arrestuar, dhe një burrë më tha që më kishte mbajtur në krahë. Falenderoj xhelatët e mi, që nuk më goditën në organet gjenitale dhe në kokë për asnjë moment, dhe për këtë i kam falur.
(e.f/ BalkanWeb)
