Hollandë- Në javën e dytë të marsit, holandezët do të shkojnë në zgjedhje, ku sondazhet tregojnë një rritje të frikshme të ekstremistëve të udhëhequr nga Geert Wilders. Partia e Lirisë rivalizon me liberalët e VVD-së së kryeministrit Mark Rutte, të paktën në anketat e deritanishme. Pikërisht për të forcuar disi pozitat në prag të zgjedhjeve, kryeministri Rutte u deklarua i ashpër ndaj grupeve të emigrantëve që nuk integrohen me rregullat dhe kulturën holandeze.
“Silluni normalisht, respektoni vlerat tona. Nëse nuk ju pëlqejnë është e thjeshtë, mund të largoheni”, deklaroi Rutte. Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar Wilder.
“Njeriu i kufijve të hapur, i tsunamit të azilantëve, i emigracionit masiv dhe i islamizimit, gënjen dhe mashtron sërish”, komentoi ai në Twitter.
Sondazhet deri më tani nuk përcaktojnë një fitues të qartë. Rezultatet e tyre vërtiten me diferenca të vogla mes partisë së Ruttes dhe Wilders.
