Nga: Valentina Madani*

Partia Demokratike nuk do t’u besojë aleatëve të saj asnjë prej bashkive të mëdha në garën e 21 qershorit, në të kundërt rrezikon shumë në zgjedhjet lokale. Sinjalin e parë e jep njëri nga deputetët demokratë, z. Genc Pollo, duke thënë se do të ishte një risk i madh për trille individuale. Bashkia e Durrësit, sipas Pollos, është një nga bashkitë në të cilat PD-ja nuk do të rrezikojë që të përfaqësohet nga aleatët. “Qytetet e mëdha, përfshi dhe atë të Durrësit, kanë nevojë për një figurë të cilën demokratët, që janë dhe masa e stërmadhe, baza e qendrës së djathtë, ta ndjejnë të tyren. Dhe mendoj se nuk mund të jetë një figurë që vjen nga PDK, PR, edhe pse mund të qëllojnë figura interesante, që kanë rrethin e tyre, mund të kenë një biografi politike të larmishme ose të njëtrajtshme, nuk po gjykoj individë të veçantë. Por në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në Shkodër, në Korçë dhe në Elbasan, për rrethanat konkrete që kemi, kandidatët do të vijnë dhe duhet të vijnë nga PD-ja, në interes të qendrës së djathtë dhe vetë opozitës. Pak a shumë kjo situatë ka qenë edhe për partitë aleate në zgjedhjet e mëparshme para 4 vitesh apo 8 vitesh; në këtë linjë kanë ecur”, – shprehet z. Pollo në studion e “30 Minuta”. Deputeti demokrat nuk mohon se gjithmonë ka vend për kompromise, por ai evidenton në mënyrë të qartë, se një figurë e huaj për PD-në në bashkitë e mëdha është në dëm të vetë demokratëve. “Ka vend gjithmonë për hapësira për kompromise, por do të ishte me risk të madh për trille individuale për bashki si Durrësi, si Shkodra, si Elbasani, dhe aq më pak për bashki si Tirana. Për shkak të rrethanave dhe si traditë e konsoliduar për bashkitë e mëdha, duhet të jetë nga PD-ja, ndryshe do të ishte një eksperiment me risk të madh, i cili do t’i kushtonte risk të madh PD-së. I kushton një ftohje elektoratit të PD-së. Një figurë e huaj për të, sado që ta bekonte kryesia e PD-së apo Lulzim Basha, prapëseprapë kur nuk ngjit, nuk ngjit. Do të kishte risk të madh dhe kryesia e PD-së është e ndjeshme, dhe jo për herë të parë”, – deklaroi z. Pollo. Ai paralajmëroi se në mesin e muajit mars PD-ja do të zgjedhë kandidatët e saj për të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. “Në mes të marsit do të kemi gati kandidaturat tona. Ka një përvojë të konsoliduar dhe nuk kemi nevojë për shpikje të re. PD në strukturat e saj në çdo bashki jep kandidatët e vet dhe këta kandidatë janë anëtarë të PD-së apo personalitete të afërta me PD-në, dhe jo detyrimisht të partive aleate. Pastaj në qendër ka një kombinim të arsyeshëm. Mënyra se si kanë ecur punët në PD dhe në të djathtën, që kandidatët kryesorë në bashkitë e mëdha kanë qenë të PD-së dhe nuk kemi një situatë të re për ta ndryshuar këtë rregull”, – u shpreh z. Genc Pollo.
Lidhur me rikandidimin ose jo të Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës, Pollo bëri të qartë se këtë herë Lulzim Basha nuk duhet të kandidojë për postin e kryebashkiakut në zgjedhjet lokale. “Të synojë postin e kryeministrit tani Basha dhe nuk ka më nevojë për degëzime të tjera”, – theksoi z. Pollo.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: