TIRANE- Nisma e “News 24” dhe “BalkanWeb” për të shpëtuar foshnjën 2-muajshe Reanta Balliu, e cila vuan nga një sëmundje e rrallë, prej së cilës e shpëton vetëm një transplant, duket se është përmbushur.

Vogëlushja është nisur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:20 me avion drejt Romës, pasi falë donacioneve të qytetarëve, biznesmenëve dhe artistëve të njohur, mes të cilëve edhe Noizy, u arrit të mblidhej shuma prej 26 mijë eurosh e nevojshme për transplantin.

Foshnja e çiftit Balliu lindi me një sëmundje të rrallë, sipas diagnostifikimit të mjekëve, me anomali në aparatin tretës. Vetëm pak orë pasi lindi, Reanta iu nënshtrua një operacioni tepër të vështirë e të komplikuar në kirurgjinë e spitalit pediatrik në QSUT.

Ashtu siç u tha dhe nga mjekët shqiptarë, asnjë fëmijë në spitalin “Mbretëresha Geraldinë” nuk kishte lindur më parë me këtë anomali në aparatin tretës dhe se rasti i Reantës është tepër i rrallë. Fatkeqësisht në vend nuk ka asnjë spital të specializuar që mund të kryente transplantin.

Ka qenë ndihma dhe mbështetja e madhe e Drejtoreshës Ekzekutive të “Fondacionit Spitalor të Nënës dhe Fëmijës”, Gerta Hagen, e cila gjeti spitalin e specializuar për të operuar Reantën në Romë, ndërsa ndërhyrja është marrë përsipër nga profesori italian Pietro Bagolan.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: