NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Ministria e Arsimit ka publikuar 39 programet orientuese për provimet e Maturës Shtetërore 2017. “Gazeta Shqiptare” vijon publikimin e programeve të lëndëve me zgjedhje për shkollat e mesme, si dhe tabelën e 21 lëndëve me zgjedhje dhe kreditet përkatëse për shkollat e mesme, pa përfshirë lëndët me zgjedhje të shkollave artistike dhe atyre profesionale. Kusht për përzgjedhjen e dy lëndëve që maturantët do të japin si provim me zgjedhje në maturë është që kreditet e tyre të mos jenë më pak se 8.

Të interesuarit kanë të plotë programin e gjuhës së huaj Anglisht si provim me zgjedhje, e cila ka nivel gjuhësor B2, në numrin e sotëm të “Gazeta Shqiptare”. Po ashtu, gjuha e huaj ka edhe një nivel kreditesh të lartë, pasi vlerësohet me 10 kredite, kështu që, një maturanti që ka njohuri shumë të mira të gjuhës së huaj i vlen të zgjedhë këtë provim pasi merr pikët maksimale. Dhe, si provim tjetër me zgjedhje mund të zgjedhë një lëndë me pak kredite dhe të lehtë, por që e ka të sigurt që merr notë të mirë. Ndërsa programi i dytë që “GSH” publikon në numrin e sotëm, është programi i Fizikës- bërthamë.

Maturantët që zgjedhin këtë lëndë, duhet të jenë mirë në shkencat ekzakte, dhe duke qenë se kjo lëndë ka 4 kredite, ata patjetër duhet të zgjedhin një lëndë që ka 4 kredite dhe më shumë. Në programin orientues të një lënde të thelluar duhet të përmbahet edhe programi i lëndës-bërthamë. Maturanti, kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë-bërthamë (përjashtuar lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e Huaj). Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë i kanë përcaktuar kriteret hyrëse, ku pesë provimeve të maturës u kanë dhënë peshë të konsiderueshme.

Kështu, Universiteti i Tiranës ka përcaktuar se, 50% të pikëve maturantët e fitojnë nga nota mesatare e shkollës së mesme, përfshirë edhe provimet e Maturës Shtetërore me një mesatare të thjeshtë aritmetike, ndërkohë që gjysmën tjetër të pikëve, pra 50% maturantët e fitojnë nga nota mesatare e gruplëndëve të cilat janë përzgjedhur si preferenciale nga fakultetet për çdo program studimi të ciklit të parë. Universiteti i Mjekësisë Tiranë, ka përcaktuar si kriter aplikimi mesataren mbi 8.5.

Ndërsa, sa i përket ndarjes së peshës, UMT-ja mesataren e provimeve të maturës e vlerëson me 35%, ndërsa 35% të pikëve maturantët i marrin nga nota mesatare e gjimnazit dhe 30% nga lëndët formuese. Lëndët formuese që preferon Universiteti i Mjekësisë janë 3: Kimi 10%, Biologji 10% dhe Fizikë 10%. Këto lëndë nuk kanë lidhje me lëndët që maturantët do të zgjedhin si provime me zgjedhje në maturën shtetërore dhe do t’i shënojnë në Formularin A1. Si lëndë me zgjedhje në provimet e maturës, maturantët duhet të zgjedhin dy lëndë në të cilat besojnë se do marrin vlerësim maksimal, pasi kjo u shton pikët që fitojnë.

lista

(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb