Skuadra e Levadhiakos ka dhuruar një nga surprizat më të mëdha të kësaj jave në kampionatin grek, pasi ka arritur të ndalë në barazim pa gola gjigandët e Panathinaikos, të cilët luajnë për renditjen në zonën e Europës.

Te Levadhiakos, ndeshjen e filloi nga minuta e parë përsëri Qazim Laçi, i cili tashmë është kthyer në një element të rëndësishëm për ekipin e tij dhe vetëm mungesa e përgatitjes së duhur fizike për shkak të mosaktivizimit të rregullt në pjesën e parë të sezonit në Qipro nuk i mundëson të mbyllë ndeshjet deri në fund të tyre.
Mesfushori u zëvendësua në minutën e 71 të ndeshjes, ndërsa në minutën e 84-t të takimit, mbrojtësi 21 vjeçari Marius Topi hyri në fushën e lojës te Levadhiakos, për ta ndihmuar që të ruante këtë barazim me shumë vlerë që e nxori nga zona e ftohtë e klasifikimit të kampionatit grek.

Spektator në pankinë gjatë fitores 1-0 të PAOK ndaj Panetolikos ishte Ergys Kaçe, i kthyer përsëri në 18-she pasi ka lënë pas probleme të vogla fizike që e kishin shqetësuar në javët e kaluara. Ndërkaq, Andi Lila ishte në fushën e lojës gjatë barazimit 1-1 të Pas Janinës në fushën e Atromitos, ku ai u ndëshkua edhe me një karton të verdhë. (panorama sport)

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb