Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Financave, Arben Ahmetaj prezantuan sot Projektin Financiar 1 miliard dollarë. Kreu i qeverisë shpjegoi investimet që do të vijnë në vend falë këtij projekti.
Rama tha se pjesë e projektit janë rritja e punësimit, ndërtimi i shkollave, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe spitaleve. Ai gjithashtu u shpreh se pjesë e programit ekonomik do të jetë edhe rruga e Arbërit.
“Synojmë që me këtë program të adresojmë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale, të adresojmë po ashtu nevojën për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonave turistike. Pjesë e këtij programi është edhe rruga e Arbërit për të cilin kanë nisur procedurat. Ne synojmë të rindërtojë 150 shkolla. Infrastruktura shëndetësore ka prioritet ndërtimin e një spitali rajonal ekselence në Fier. Dua të nënvizoj faktin se për gjithë këtë proces dhe përfshirjes së kapitalit privat në mbështetje për programin për instrastrukturën publike, përsëri qytetarët nuk do të paguajnë asgjë ekstra. Kemi trashëguar një histori të vëshitrë konçesionesh, ku privatët paguheshin nga vetë publiku me tarifa ekstra. Këtij i kemi dhënë fund. Vlen të theksohet se në këtë program do të ketë padiskutim një hapësirë të re për një rritje të ndjeshme të punësimit, të konsiderueshme pasi bëhet fjalë për qindra kantiere që do hapen në një hark kohor prej 3 vitesh dhe do të bëjë atë që kemi pasur ambicjen e madhe të ditës së parë, të kemi rritje ekonomike mbi 5%. Kjo do i japë impuls më të madh rritjes së konsumit” tha Rama.
Ndërsa Ministri i Financave, Arben Ahmetaj sqaroi arsyet se pse është zgjedhur partneriteti publik-privat dhe se nuk prekej borxhi publik. Sipas tij, riskun e financimit e ndërmerr pala private.
“Pse me partneritet publik-privat? Për të pasur një infrastrukturë rrugore, shkolla e spitale me këtë partneritet në një hark kohor të shkurtër mund të bëjmë më mirë. Buxheti i shtetit ka mundësi të kufizuara dhe nuk mundëson nevojat e investimeve. Nuk preket borxhi publik për aq kohë sa shtetit hyn në partneritet me sektorin privat. Asnjë nga këto projekte nuk e cënon borxhin publik, përkundrazi ajo do vazhdojë të ulet. Partneriteti publik-privat ka ndikim të shpejtë ekonomik dhe social. Riskun e financimit e ndërmerr pala private,” tha Ahmetaj
(e.f/BalkanWeb)
