Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu hodhi poshtë zërat për një krisje të marrëdhënieve të vendit të tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të armëve bërthamore të Iranit. Duke folur nga Uashingtoni në konferencën e përvitshme AIPAC, ai sqaroi se raportet e dy vendeve janë më të forta se kurrë më parë dhe shprehu vlerësim të madh për presidentin amerikan Barak Obama. “Raportimet për dështimin e marrëdhënieve Izrael-SHBA jo vetëm që janë të parakohshme, por janë tërësisht false. Aleanca jonë është më e fortë se kurrë më parë”, – tha dje ai përpara 16 mijë pjesëmarrësve në konferencën e lobit të fuqishëm proizraelit. “Fjalimi im nuk ka pasur aspak synim të ofendojë apo të mos respektojë presidentin Obama, apo zyrën e shumëvlerësuar që ai drejton aktualisht. Kam respekt të madh për të si individ, por edhe për postin që përfaqëson”, – tha Netanjahu. Ai tha se ‘vlerëson thellësisht’ gjithçka që Obama ka bërë për Izraelin gjatë mandateve të tij si president i Amerikës. Netanjahu shtoi se çështja kryesore e fjalimit nuk është kthimi i Izraelit në një çështje ‘partiake’. “Si presidentët demokratë, ashtu edhe ata republikanë, por edhe kongresmenët, kanë punuar së bashku prej kohësh për ta bërë Izraelin një partner strategjik”, – theksoi ai. Kryeministri hebre shfaqi një hartë që tregon shtrirjen e mbështetjes iraniane për terrorizmin anembanë globit. Ai tha gjithashtu se një Iran me armë bërthamore do të mund të bënte realitet dëshirën e hershme të Teheranit për të shkatërruar shtetin e Izraelit. “Nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë. Kurrë më, populli hebre nuk do të jetë pasiv përballë kërcënimeve për asgjësimin e tyre. Ato ditë kanë marrë fund. Sot kemi mundësinë e të shprehurit, ndërsa nesër, si kryeministër i shtetit të vetëm hebre, kam planifikuar ta shfrytëzoj këtë të drejtë shprehjeje përpara Kongresit”, – njoftoi Netanjahu. “Izraeli dhe SHBA-të kanë rënë dakord mbi nevojshmërinë për të parandaluar krijimin e armëve bërthamore nga ana e Iranit, gjithsesi dy vendet respektive kanë mospajtime në lidhje me rrugën më të mirë për ta parandaluar diçka të tillë”, – shtoi ai. Kreu izraelit citoi shembujt gjatë të cilëve Izraeli ka mundur të mbrojë veten ndaj kërcënimeve ekzistenciale, madje edhe në rastet kur mënyra sesi është mbrojtur vendi hebre ka qenë në mospajtim me Shtetet e Bashkuara. “Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve, marrëdhënia është rritur dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë. Vlerat që Izraeli dhe SHBA-të ndajnë janë më të fuqishme sesa çdo mosmarrëveshje që i ndan këto vende”, – saktësoi ai. Disa ditë më parë, Netanjahu dha një deklaratë të fortë, se SHBA-të dhe shtete të tjera perëndimore kishin hequr dorë nga ndalimi i armëve bër-thamore në Iran. Kjo shkaktoi pakënaqësi në Shtëpinë e Bardhë dhe në media u komentua gjerësisht si krisje e marrëdhënieve midis dy vendeve.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: